1
Më 17 shkurt 2026, Kosova mbush tetëmbëdhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë, një moshë simbolike. Në jetën e individit, kjo moshë shënon kalimin drejt pjekurisë ligjore e morale. Në jetën e një shteti, është një moment reflektimi: a kemi mësuar të marrim përgjegjësi me vetëdije, apo ende veprojmë me impuls dhe emocion?
Në terma të psikologjisë morale dhe sociale, përgjegjësia është një rol, por bëhet kuptimplotë vetëm kur mbështetet në një qëndrim të qartë vlerash. Pa këtë shtyllë të brendshme, ajo rrezikon të shndërrohet në formalitet, në detyrim pa frymë, ose në konformizëm ndaj rrethanave. Psikologjia e sjelljes dhe motivimit tregon se kur përgjegjësia udhëhiqet nga presioni i jashtëm, “duhet ta bëj sepse më kërkohet”, individi vepron mekanikisht. Por kur udhëhiqet nga vlera të brendshme, “dua ta bëj sepse besoj se është e drejtë”, sjellja bëhet më e qëndrueshme dhe më etike. Kjo është dallesa mes llogaridhënies së jashtme dhe llogaridhënies së brendshme, mes detyrës dhe ndërgjegjes.
Moneytizer Paragrafi 2
Nga ana tjetër, studimet në psikologjinë sociale tregojnë se pushteti ndikon në perceptimin moral dhe në ndjeshmërinë emocionale. Pushteti mund të ulë aftësinë për ta parë situatën nga këndvështrimi i tjetrit, perspektivë-marrjen, dhe të rrisë distancën sociale, sidomos kur mungon vetë-reflektimi. Në mungesë të kësaj vetëdijeje, vendimmarrja priret të bëhet e ftohtë, instrumentale dhe shpesh më e ashpër. Kjo përputhet me konceptin e shkëputjes morale, moral disengagement, të cilin Albert Bandura e përshkruan si procesin në të cilin individi justifikon veprime të padrejta përmes racionalizimeve si “është për të mirën e përgjithshme” ose “nuk kishte alternativë”.
Në këtë kuptim, një parim mbetet universal: përgjegjësia pa qëndrim bëhet e zbrazët; pushteti pa vetëdije bëhet i ashpër. Ky është një ligj moral po aq i rëndësishëm sa çdo ligj juridik, sepse përcakton cilësinë e jetës publike dhe të vetë shtetit.
Moneytizer Paragrafi 4
Këtë dimension e kanë kuptuar edhe mendimtarët shqiptarë që herët. Fan Noli, në veprën e tij politike e fetare, theksonte: “Liria nuk është dhuratë, por përkushtim. Ajo nuk mbahet pa ndërgjegje dhe pa përgjegjësi.” Ky është thelbi i qytetarisë aktive, ide që përkon me psikologjinë moderne të vetë-determinimit, ku liria dhe përgjegjësia janë dy anë të së njëjtës medalje.
Eqrem Çabej, në një shkrim të vitit 1941, kujtonte: “Shteti është vepër e kulturës, dhe kultura është vepër e ndërgjegjes.” Kjo lidhje midis formimit moral dhe ndërtimit institucional tregon se shteti nuk është vetëm strukturë juridike, por pasqyrë e nivelit të vetëdijes kolektive.
Megjithatë, realiteti ynë shpesh dëshmon të kundërtën: një vetëdije që nganjëherë harron se si u fitua liria, por nuk harron kurrë se ç’është inati. Sepse është më lehtë të urresh sesa ta pranosh që jemi të njëjtë.
Të gjithë pimë të njëjtën kafe, dëgjojmë të njëjtën muzikë, flasim të njëjtën gjuhë dhe largohemi nga i njëjti vend. Por sapo hyn politika në mes, na ndërrohet gjuha e na ngushtohet zemra. Papritmas s’jemi më bashkëqytetarë, as bashkëkombës: bëhemi grupe, parti, etiketa, jo njerëz, e jo shqiptarë.
Të gjithë i kemi të njëjtat probleme: varfërinë, arsimin, shëndetësinë, korrupsionin dhe ikjen e të rinjve. Por në vend që ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ne grindemi se kujt i kanë qenë vuajtjet më të mëdha dhe kush e ka fajin. Në shoqërinë shqiptare, urrejtja shpesh është bërë valutë. Politikanit s’i duhet të të japë asgjë; mjafton të të tregojë kë duhet të urresh. Dhe populli, për një çast, ndien kënaqësi, sepse kur ke një armik, nuk ke pse të kërkosh fajin te vetja.
Kështu jemi mësuar: të mos pyesim pse na shkon keq, por kush është fajtor. Dhe ndërsa ne kacafytemi për “heronjtë” tanë, po ata që i përdorin këto ndasi shpesh bashkëpunojnë në prapaskenë. Në shumë raste, në Shqipëri e Kosovë nuk jetohet më me vizion; këtu shpesh bëhet tifozllëk: për kombin, për fenë, e sidomos për partinë.
Prandaj, ndërsa afrohet dita e zgjedhjeve, duhet ta kujtojmë se vota nuk është veprim emocional, por akt vetëdijeje. Ajo nuk është vetëm përzgjedhje politike, por një deklarim personal për standardin moral që duam të shohim të mishëruar në shtetin tonë.
Sepse, në fund të fundit, shteti nuk është më i fortë se ndërgjegjja e qytetarëve të tij

