Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

24 vjet pa vendim, Kushtetuesja konstaton shkelje

 
   

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Adem Shehu, duke konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Gjykata, me vendim unanim, ka vlerësuar se procedurat gjyqësore në lidhje me lëndën [T.nr.29/2000] në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë zvarritur në mënyrë të pajustifikueshme, duke cenuar nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti ka të bëjë me një procedurë trashëgimie, e iniciuar nga parashtruesi më 7 nëntor 2000, lidhur me pasurinë e lënë nga nëna e tij. Procedura është ndërprerë në vitin 2002 dhe, sipas Gjykatës Kushtetuese, ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 24 vjet, pa asnjë epilog përfundimtar.

Gjykata vlerësoi se parashtruesi nuk ka kontribuar në vonesat e procedurës dhe se përgjegjësia për tejzgjatjen i atribuohet organeve gjyqësore. Sipas aktgjykimit, një vonesë kaq e gjatë është e pajustifikueshme dhe bie ndesh me standardet kushtetuese dhe evropiane për gjykim të drejtë.

Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Gjykatën Themelore në Gjakovë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për vazhdimin dhe përfundimin e çështjes, si dhe që deri më 11 mars 2026 ta informojë Kushtetuesen për masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit.

 
 
 
 

Â