Një makinist treni ka humbur jetën dhe të paktën 40 persona janë plagosur si pasojë e një përplasjeje ballë për ballë mes dy trenave pranë Machu Picchu, atraksionit më të njohur turistik të Perusë.
Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi të martën në shinën e vetme hekurudhore që lidh zonën me qytetin e lashtë Inka, shkruan BBC.
Në vendngjarje kanë mbërritur rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore në qytetin e afërt të Cuscos.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Peru ka bërë të ditur se mes të plagosurve ka edhe shtetas amerikanë, megjithatë policia ende nuk ka konfirmuar identitetin e personave të përfshirë në incident.

