Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se seanca e filluar në ora 16:00, ndaj tridhjetenëntë të pandehurve, ka përfunduar mbrëmë në ora 23:00.
Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve iu është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë.
“Në momentin kur të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar, gjykata do të njofton publikun dhe mediat për vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftim.
39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).
Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS-së, Valon Berisha, kurse vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në konferencën për media, tha se gjatë aksionit policor që përfshiu shumë komuna të Kosovës, janë sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, ndërsa është arritur që të bllokohen të hollat në vlerë prej 1 milionë 300 mijë e 886 euro.
Veprimet hetimore kishin nisur nga marsi i vitit të kaluar 2025 dhe se për këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë dhe vetë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Ndërkohë, janë siguruar 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona.

