Juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi analizon zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, duke vlerësuar mundësitë për formimin e institucioneve, sfidat kushtetuese përpara Kuvendit dhe domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të gjerë politike për ruajtjen e stabilitetit institucional të Kosovës.
Ai vlerëson se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 nuk priten vështirësi serioze për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kurti III.
Sipas tij, me 57 deputetë të VV-së dhe 10 nga komunitetet joserbe, pritet të sigurohet shumica minimale prej 61 votash për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe votimin e Qeverisë.
Megjithatë, Kelmendi thekson se kjo shumicë nuk garanton stabilitet politik afatmesëm dhe afatgjatë.
“Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, nuk priten vështirësi serioze në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe në formimin e Qeverisë Kurti III.
Sipas rezultateve: Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka 57 deputetë; Deputetët e komuniteteve joserbe janë 10 (neni 64 i Kushtetutës).
Edhe në rast të ndonjë devijimi individual, VV pritet ta sigurojë shumicën minimale prej 61 deputetësh, e cila është e mjaftueshme për: zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit (neni 67); votimin e Qeverisë (neni 95 i Kushtetutës – shumicë e thjeshtë)
Megjithatë, kjo nuk garanton stabilitet politik afatmesëm dhe afatgjatë”, thotë ai.
Çështjet që kërkojnë marrëveshje më të gjerë politike
Kelmendi, thekson se para muajit mars, para zgjedhjes së Presidentit/es, Kuvendi do të përballet me vendime jetike.
Sipas tij, vetëm disa marrëveshje ndërkombëtare që prekin territorin, paqen, aleancat, rendin kushtetues apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare kërkojnë 2/3 e votave, ndërsa të tjerat miratohen me shumicë të thjeshtë. Po ashtu, Ligji për Buxhetin miratohet me 61 vota, por mosmiratimi i tij do të sillte paralizim të institucioneve dhe krizë të rëndë shtetërore.
“Para muajit mars, kur duhet të zhvillohet procesi i zgjedhjes së Presidentit/es së Republikës, Kuvendi do të përballet me disa vendime jetike për shtetin, përfshirë:
1. Marrëveshjet ndërkombëtare
Sipas nenit 18 të Kushtetutës:
Marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare ose çështje që prekin rendin kushtetues kërkojnë 2/3 e votave të të gjithë deputetëve (80 vota).
Marrëveshjet e tjera ratifikohen me shumicë të thjeshtë (61 vota).
Prandaj, jo çdo marrëveshje me BE-në apo Bankën Botërore kërkon automatikisht 2/3, por vetëm ato që bien nën kategoritë kushtetuese të përmendura më sipër. Kjo duhet vlerësuar rast pas rasti.
2. Ligji për Buxhetin e Kosovës
Ligji për Buxhetin miratohet me shumicë të thjeshtë (61 vota), jo me 2/3.
Megjithatë, mosmiratimi i buxhetit paralizon funksionimin e shtetit dhe krijon krizë të thellë institucionale” – thotë ai.
Zgjedhja e Presidentit/es – nyja kryesore politike
Në përfundim, profesori thekson se pa një marrëveshje politike ndërpartiake, zgjedhja e Presidentit/es është e pamundur dhe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Ai vlerëson se bashkëpunimi mes partive shqiptare është i domosdoshëm për stabilitet institucional dhe shmangie të krizës kushtetuese.
“Sipas nenit 86 të Kushtetutës:
Presidenti/ja zgjidhet në dy raundet e para me 2/3 e votave (80);
Në raundin e tretë kërkohen 61 vota;
Nëse Presidenti/ja nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare (neni 82).
Kjo do të thotë se: Pa një marrëveshje politike paraprake, zgjedhja e Presidentit/es është praktikisht e pamundur; Procesi i Presidentit/es, marrëveshjet ndërkombëtare dhe stabiliteti qeverisës janë të ndërlidhura.
Domosdoshmëria e marrëveshjes politike shqiptare
Pa votat e: PDK-së, ose LDK-së (dhe nëse është e mundur, edhe të AAK-së) nuk mund të sigurohet:
shumica prej 2/3 për çështjet kushtetuese; stabilitet institucional; shmangia e zgjedhjeve të reja.
Sa më i gjerë bashkëpunimi politik, aq më i madh uniteti institucional dhe besueshmëria ndërkombëtare e Kosovës.
Përfundim
Mosarritja e një marrëveshjeje politike: rrezikon bllokimin e Kuvendit, pamundëson zgjedhjen e Presidentit/es; dhe, sipas Kushtetutës, e çon vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, qoftë para apo pas muajit mars.
Ligji është i qartë dhe askush nuk mund t’i shmanget detyrimeve kushtetuese”, – përfundon ai për “Bota sot”.

