Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani kujton Enver Malokun: Zëri i urtësisë dhe i dinjitetit të Kosovës

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot Enver Malokun, intelektualin dhe veprimtarin e shquar, bashkëpunëtor të afërt të presidentit, Ibrahim Rugova.

Presidentja Osmani theksoi se Maloku ishte zëri i urtësisë dhe i dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën, duke luajtur rol kyç si arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën e Kosovës përtej kufijve.

“Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit,” u shpreh Osmani, duke vlerësuar kontributin e tij në rrugën shtetformuese të vendit.

Ajo shtoi se Maloku i shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në historinë politike dhe shoqërore të Kosovës.

Presidentja Osmani rikujtoi gjithashtu se vrasja e Enver Malokut mbetet një krim i pazbardhur, duke theksuar se është obligim i institucioneve të drejtësisë që autorët të vihen para përgjegjësisë. “Është borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”, tha ajo.