Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e planifikuar për sot në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.
Arsyeja për anulimin e seancës është mospërfundimi i ekspertizës financiare, një dokument kyç për shqyrtimin e provave dhe vlerësimin e përgjegjësisë së të akuzuarve.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Lekajt, Nebih Shatri, sekretar i përgjithshëm i ministrisë, dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Më 31 janar 2024, Gjykata Themelore i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me burgim dhe ndalim të funksionit publik, ku Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burg dhe ndalim funksioni për 3 vite e 6 muaj, Eset Berisha me 3 vite e 3 muaj dhe ndalim funksioni për 3 vite, ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me nga 1 vit e 8 muaj dhe ndalim funksioni për 2 vite.
Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin për rigjykim, duke kërkuar shqyrtim të plotë të provave, dhe në këtë rigjykim Eset Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, kërkesë e cila u refuzua nga kryetarja e Gjykatës Themelore, Albina Shabani-Rama.
Rasti “53-milionëshi” ka tërhequr vëmendje të madhe publike si një prej skandalëve më të mëdha të keqpërdorimit të fondeve publike në ndarjen e kontratave për infrastrukturë strategjike në Kosovë, ndërsa seanca e radhës do të caktohet pasi të përfundojë ekspertiza financiare, që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në vendimin përfundimtar të gjykatës.

