Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BQK ngre alarmin: Kujdes, një SMS mund t’ju kushtojë shtrenjtë

 
   

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar ndaj një fushate mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS.

Sipas BQK-së, këto mesazhe paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga bankat komerciale, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe vjedhjen e të dhënave financiare. Mesazhet e dyshimta mund të përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim, prandaj qytetarët këshillohen të mos bien pre e tyre.

Për të garantuar sigurinë online, BQK u rekomandon qytetarëve që të mos ndajnë kurrë të dhënat e kartelave bankare përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar, si dhe të shmangin hapjen e lidhjeve të dyshimta ose klikimin në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos kryejnë pagesa apo të vendosin të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS, të përdorin vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave, si dhe të shmangin regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta.

BQK po ashtu rekomandon aktivizimin e njoftimeve për çdo transaksion dhe kontrollimin e rregullt të historisë së pagesave dhe transferave, ndërsa çdo mesazh i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë te banka apo institucioni financiar përkatës.