Në dekadat e fundit, lufta nuk shpallet më me tanke dhe aviacion, dhe as nuk nis domosdoshmërisht me pushtim territorial.
“Sot lufta zhvillohet në heshtje – në rrjetet sociale, në ekonomi, në hapësirën kibernetike dhe në institucionet tona më të brishta,” deklaron Prof. Dr. Muhamet Racaj.
Ai shton se kjo është ajo që njihet si luftë hibride, dhe Kosova është tashmë objektiv i drejtpërdrejtë.

Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Si shtet i ri, me histori të hapur konflikti me Serbinë, jemi në qendër të këtij modeli modern,” shpjegon Racaj.
Sipas ekspertit, lufta hibride është kombinim i mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake.
“Dezinformim dhe propagandë, Sulme kibernetike, Presion diplomatik dhe ekonomik, Instrumentalizim i pakicave, Ndërhyrje në zgjedhje dhe destabilizim institucional, Veprime të shërbimeve inteligjente nën mbulesë civile”.
Racaj përmend se në rastin e Kosovës, këto nuk janë teori, por janë të organizuara, të vazhdueshme dhe kryesisht nga Serbia, me mbështetje të aktorëve të tretë, sidomos Rusisë.
Ai thekson se narrativat që e paraqesin Kosovën si “shtet të dështuar”, tensionet e orkestruara në veri dhe fushatat e dezinformimit janë elemente tipike të një fushate hibride.
Racaj vlerëson disa hapa positive në këtë rast.
“Forca e Sigurisë e Kosovës është ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, Bashkëpunim i ngushtë me SHBA dhe aleatët euroatlantikë, Përmirësim i kapaciteteve inteligjente dhe policore”.
Por ai paralajmëron se lufta hibride nuk fitohet vetëm me uniforma dhe armë. Dobësitë tona shfaqen në strategji, koordinim, mbrojtje kibernetike dhe hapësirë mediatike të pambrojtur.
Sipas Racajt, polarizimi politik i brendshëm dhe mungesa e unitetit në çështje të sigurisë kombëtare janë pika të dobëta që aktorët e jashtëm synojnë për t’i shfrytëzuar.
Eksperti thekson: “Siguria nuk është vetëm çështje e ministrisë së mbrojtjes. Është sfidë shtetërore dhe shoqërore.”
Racaj përfundon me një paralajmërim të forte.
“Pyetja nuk është nëse do të përballemi me kërcënime hibride – ne tashmë po përballemi çdo ditë. Pyetja është: a do të reagojmë si shtet proaktiv apo vetëm si objekt i sulmeve të heshtura? Në luftën hibride nuk fiton ai që ka më shumë armë, por ai që ka më shumë qëndrueshmëri shtetërore, kohezion shoqëror dhe vetëdije strategjike. Kosova nuk ka luksin të jetë e papërgatitur”, thotë ai.

