Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime

 
   

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shkojnë në rinumërim 914 vendvotime nga procesi i parakohshëm zgjedhor i 28 dhjetorit për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve të subjekteve politike.

Rekomandimi erdhi pasi Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

Pas këtyre evidentimeve, SKQZ-ja ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat dhe siç u bë e ditur deri në përfundim të ditës së djeshme janë verifikuar 33 vendvotime, ku thuhet se rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se nëse pas rinumërimit do të vërtetohen manipulimet eventuale me votat e kandidatëve, KQZ do të procedojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë sot në orën 18:00.