Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar 12 shkurtin si datë për mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar për vrasjen e policit Muhamed Lika.
Bazuar në njoftim, seanca do të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L.,Sh.K. të akuzuar për veprën penale vrasja e rendë dhe D.G., i akuzuar për shkak të veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, kati (I), salla numër (I), tek gjyqtari i çështjes Ilir Bytyqi.
“Gjithashtu, njoftoheni që kjo seancë është e hapur për publikun, andaj ju ftojmë ta përcjellin të njëjtën”.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamed Lika, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

