Një reporter nga Teherani i ka deklaruar agjencisë Al Jazeera se, deri më tani, nuk ka asnjë informacion nga burime zyrtare lidhur me ndonjë ekzekutim të mundshëm që mund të ndodhë sot në Iran, ashtu siç është sugjeruar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara.
Ai bëri të ditur se, që prej mëngjesit të së hënës, janë vërejtur më shumë tubime dhe demonstrata në mbështetje të shtetit, ndërsa numri i protestave antiqeveritare ka rënë.
Sipas televizionit shtetëror iranian, të mërkurën pritet të zhvillohet një ceremoni mortore për mbi 100 persona, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë dhe civilë, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e përshkallëzimit të situatës.
Në kuadër të sistemit ligjor iranian, individët që akuzohen për veprën penale të quajtur “moharebeh” ose “luftë kundër Zotit” përballen me dënime shumë të rënda, përfshirë edhe dënimin me vdekje, në varësi të vendimit të gjykatës.
Pas kërcënimeve të Presidentit Trump, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka zhvilluar një sërë bisedimesh me homologë të tij nga vende të ndryshme të botës dhe ka deklaruar gatishmërinë e Iranit “për çdo skenar” në të ardhmen.
Sipas Agjencisw sw Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA, numri i të vdekurve nga protestat në Iran është rritur në 2,550, përfshirë 2,403 protestues dhe 147 personel sigurie dhe mbështetës të qeverisë.
Megjithatë, nuk ka një shifër zyrtare gjithëpërfshirëse për viktimat gjatë këtyre protestave.
Ndërprerja e komunikimit në vend mbetet në fuqi, duke arritur në 132 orë pa internet, raportoi Netblocks të mërkurën./teve1

