Irani ka “shumë surpriza” për çdo armik që e sulmon, ka thënë Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Aziz Nasirzadeh.
Gjenerali i brigadës bëri komentet pasi Trump e përshkallëzoi retorikën e tij dhe kërcënoi të ndërhynte ushtarakisht në Iran pas javësh trazirash vdekjeprurëse.
“Nëse këto kërcënime shndërrohen në veprime, ne do ta mbrojmë vendin me forcë të plotë dhe deri në pikën e fundit të gjakut, dhe mbrojtja jonë do të ishte e dhimbshme për ta”, tha Nasirzadeh në një takim sigurie, sipas Press TV.
Ai gjithashtu i paralajmëroi vendet që ofrojnë ndihmë për çdo sulm ndaj Iranit se ato “do të jenë objektiva legjitime”.
Dëmet e shkaktuara nga lufta 12-ditore e Izraelit kundër Iranit në qershor janë riparuar dhe “kapaciteti i prodhimit ushtarak është rritur”, tha Nasirzadeh.
Kurse, komandanti i forcave ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike ka thënë se ushtria e Iranit është në “kulmin e gatishmërisë mbrojtëse” dhe e përgatitur për t’u “përballur me çdo agresion”.
Parlajmërime të ashpra ka dhënë edhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili tha dje se Irani do t’ia “vërë flakën rajonit” – një mesazh ky për aleatët e SHBA-së në rajon.
Ai shtoi se anijet amerikane, bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe territori izraelit do të jenë “objektivat tanë legjitimë”, citon Al Jazeera.
Agjencia Reuters raporton se tre diplomatë të paidentifikuar kanë thënë se, një pjese të personelit nga baza ajrore Al Udeid e ushtrisë amerikane në Katar i është këshilluar të largohet deri të mërkurën në mbrëmje.
Al Udeid është baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, ku ndodhen rreth 10,000 trupa amerikane.

