Pas fitores në zgjedhjet e fundit, ku mori mbi 153 mijë vota, Donika Gërvalla po përballet me një valë të re sulmesh politike dhe propaganduese.
Deputetja Jeta Statovci ka reaguar me forcë ndaj këtyre sulmeve, duke i cilësuar ato si të orkestruara nga qarqe politike që janë shqetësuar nga mundësia e Gërvallës për t’u bërë ministre e Drejtësisë.
Reagimi i deputetes erdhi pas publikimit të një interviste të vjetër të zonjës Gërvalla, ku, sipas Statovcit, ajo kurrë nuk ka deklaruar se ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale.
“Kjo është një gjykatë e shkaktuar dhe votuar nga ata që sot po hedhin akuza të pa-baza”, theksoi Statovci.
Postimi i plotë:
Një seri e re sulmesh ndaj Donika Gërvallës!
Këto zgjedhje, Donika Gërvalla morri mbi 153 mijë vota të popullit të Kosovës. Duket se ky fakt, bashkë me zërat se ajo mund të jetë Ministre e Drejtësisë, ka shqetësuar disa adresa politike në Kosovë, duke orkestruar sulme politike e propaganduese kundër saj.
Siç u pa edhe nga intervista e vjetër e publikuar, zonja Gërvalla asnjëherë nuk tha që ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale, një gjykatë të shkaktuar e votuar nga vetë ata që po hedhin akuza të pa-baza.
Media e ka fjalën e lirë, mirë që u publikua intervista, e cila pa dyshim vetëm sa tregon se Donika ka vizion të thellë politik, meqë aty parashikonte shumë çështje politike të Kosovës bukur saktë.
U pyet me cinizëm edhe “ku është fuqia e Donika Gërvallës?”
Fuqia e saj është edukimi familjar e patriotik, i një familje që dha edhe jetë për Kosovën. Është konsistenca në qëndrime, guximi e parimësia, vizioni e shpirti demokratik i pa lëkundur, andaj që kur ajo është në garë politike, është një nga personalitetet më të mbështetura në Kosovë.

