Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Hamza takoi shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë

 
   

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, zhvilloi sot një takim zyrtar me Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Greqisë, si dhe proceset dhe temat me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohjen e tij për rolin konstruktiv dhe angazhimin e vazhdueshëm të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit të hapur dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë në funksion të stabilitetit rajonal.

Duke folur për zhvillimet e brendshme politike, Hamza ritheksoi se Partia Demokratike të Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së stabilitetit politik në vend, promovimit të dialogut konstruktiv ndërmjet aktorëve politikë dhe forcimit të institucioneve demokratike. Po ashtu, ai nënvizoi angazhimin e PDK-së për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve me shtetet mike dhe partnerët evropianë.

Nga ana e saj, Vakali u shpreh e interesuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë për të vazhduar bashkëpunimin dhe dialogun me institucionet dhe forcat politike në vend, në dobi të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.