Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi, ka bërë të ditur se ka takuar Igli Hasanin, ish-Ministër të Jashtëm të Shqipërisë dhe aktualisht Kryetar të Komisionit për Punët e Jashtme dhe Evropën në Parlamentin e Shqipërisë.
Durmishi ka theksuar se gjatë takimit, biseda u fokusua kryesisht te rëndësia e diplomacisë parlamentare dhe prioritetet e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Ambasadori Durmishi shfrytëzoi rastin për t’i shprehur Hasanit falënderimet për bashkëpunimin dhe lehtësinë e komunikimit gjatë kohës që ai shërbente si Ministër i Jashtëm, si dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Postimi i plot:
Z.Igli Hasani, ish Ministër i Jashtëm, tani është kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Evropën në Parlamentin e Shqipërisë.
Këtë herë biseduam më shumë për rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe prioritet e bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës.
Ishte rast i mirë t’i them z. Hasani falënderimet e merituara për bashkëpunimin dhe lehtësinë e komunikimeve, me mua dhe Ambasadën, sa ishte Ministër i Jashtëm.

