Edhe sot në seancën gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2018 nuk është prezent ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe trupi gjykues propozoi të veçohet procedura për Xhelal Sveçlën.
Avokati i Xhelal Sveçlës, Laur Prenaj arsyetoi mungesën e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçlës, ndërsa këkroi mirëkuptim.
“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim në faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’i përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.
Gjyqtari, Sabit Sadiku tha se me email Sveçla ka njoftuar se gjendet jashtë vendit.
“Ka dërguar e-mail, gjendet jashtë vendit”, tha ai.
Ndërsa, prezent ishin edhe ish-deputetët e LVV-së, Sali Zyba, Fitore Pacolli dhe Drita Millaku.

