Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Shala: Posti i presidentes i rezervuar, sinjale pozitive nga Shtëpia e Bardhë për Kosovën

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Anu Prattipati, me të cilën diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së.

Gjatë takimit, u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe respektimi i standardeve demokratike, ndërsa u theksua rëndësia e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati shkëmbyen pikëpamje edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët, duke riafirmuar partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me SHBA-në, mbi bazën e vlerave të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunimit të ngushtë në proceset strategjike.

Në këtë takim, znj. Prattipati i përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimin për Vitin e Ri nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump, duke ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar, Hafiz Shala, anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së dhe publicist, duke vlerësuar si shumë pozitive sinjalet që, sipas tij, po vijnë nga Shtëpia e Bardhë në raport me Kosovën.

Ai thekson se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur kaherë besim, bashkëpunim dhe simpati për presidenten Vjosa Osmani, duke e parë këtë si një faktor të rëndësishëm për stabilitetin politik në vend.

Shala shprehet se nuk i është drejtuar rastësisht Ambasadës së SHBA-së për ndërhyrje, duke shtuar se zhvillimet aktuale po shkojnë drejt shmangies së një procesi të ri zgjedhor, të cilin ai e cilëson si të panevojshëm.

Në postimin e tij, ai kritikon partitë opozitare nëse nuk e respektojnë këtë përcaktim, duke paralajmëruar se, sipas tij, ato mund të mbeten jashtë rendit politik jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe Evropë.

Ai shton se mund të ketë koalicione me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, deri te posti i presidentit/es, por nënvizon se ky post, sipas tij, mbetet i rezervuar.

Në fund, Shala u bën thirrje aktorëve politikë që të mos “luajnë me fatin e Dardanisë”, duke theksuar se Kosova është nën mbrojtjen e aleatit më të fuqishëm ndërkombëtar dhe se kjo duhet shfrytëzuar për forcimin e sovranitetit dhe diplomacisë së vendit.

Postimi i plotë:

Sinjale pozitive dhe shumë inkurajuese nga Shtëpia e Bardhë.

Donald Trump, kaherë ka shprehur besim, bashkëpunim dhe simpati për presidenten Osmani.

Prandaj, nuk iu drejtova rastësisht Ambasadës së SHBA-së për ndërhyrje dhe, siç po shihet, po shkon drejt këtij akti për ta shpëtuar Dardaninë nga absurdi i edhe një pale zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare, nëse nuk e respektojnë këtë përcaktim të njeriut që po e ndryshon rendin njerëzor, atëherë shpejt do të gjenden jashtë rendit politik dardan, ballkanik dhe evropian.

Ju mund të lidhni koalicione me partinë fituese VV-në deri te posti i presidentit/es, por ky post është i rezervuar nga kryefuqia e botës, i quajtur Donald J. Trump. Republika e Dardanisë, pa tjetër, duhet ta zbatojë këtë si kusht i suksesit në politikë dhe diplomaci ndërkombëtare dhe për forcimin e sovranitetit.

Mos luani me fatin e Dardanisë, sepse nuk do ta mbanit dot.

Jeni nën ombrellën e mbrojtjes së mikut më të fuqishëm botëror dhe kjo duhet shfrytëzuar për përjetësi.