Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Aktuale

KEK-u konfirmon daljen e A3-shit nga prodhimi

 
   

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, rreth orës 18:40, ka vepruar releja mekanike e Buchholz-it të bllok-transformatorit energjetik 15.75/220 kV, 240 MVA, si pasojë e së cilës Njësia A3 është ndalur përkohësisht nga operimi, në përputhje me standardet dhe parametrat e sigurisë teknike.

Korporata tha se dalja e A3 nga prodhimi është situatë e përkohshme, teksa shtoi se operimi i sistemit mbetet i qëndrueshëm.

“Njësia A3 ndalet përkohësisht nga operimi – operimi i sistemit mbetet i qëndrueshëm. Ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. janë duke realizuar verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat e duhura për sanimin e situatës, në përputhje me procedurat teknike operative”, u tha në njoftimin e KEK-ut.

Korporata tha se operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar, pasi aktualisht po operon me katër njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, “në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar”.

“Njësia e pestë aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të adresimit të rritjes së konsumit, pa cenuar stabilitetin dhe sigurinë operative”, tha KEK-u.