Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Dorëheqja e Lumir Abdixhikut mund të ndryshojë fatin e LDK-së?

 
   

Gjatë kësaj jave, Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një mbledhje të kryesisë që zgjati disa orë.

Pas përfundimit të saj, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, iu drejtua mediave, duke njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit.

“E kam obligim moral, politik të sjelljes time që të marrë përgjegjësinë dhe organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes si kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi le të vendosë përmes votës se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje. Po ashtu secili ka të drejtën e garantuar që deri atëherë të shtrojë kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se nëse LDK nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të detyrohet të qëndrojë në këtë pozitë.

“Nëse kuvendi nuk e pranon dorëheqjen, atëherë detyrohem me qëndrua në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është një papërgjegjësi edhe e kohës dhe anëtarësisë që ti shmangesh këtij besimi. Por, kjo çështje është e anëtarësisë”, tha ai.

Pas mbledhjes, janë intensifikuar zërat që kërkojnë largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë. Ndër të parët që i kërkoi dorëheqjen ishte ish-nënkryetari Agim Veliu.

Deri më tani, vetëm Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kurse, njohësit e çështjeve politike kanë kërkuar që Abdixhiku të japë dorëheqje të parevokueshme dhe që brenda partisë të zhvillohen zgjedhje me votim të fshehtë, për të zgjedhur kuadrot më të merituara.

“Rezultatet e dobëta nuk mund të injorohen”

Analisti politik, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, e konsideron deklaratën e fundit të Abdixhikut jo serioze, duke theksuar se personi përgjegjës për dështimet në parti duhet të japë dorëheqje të parevokueshme, gjë që nuk ka ndodhur.

 Image
 Ismail Muçiqi 
 

“Mendoj se kjo deklaratë nuk është serioze dhe është e njëanshme. Ai që ndjen përgjegjësi për dështimet në parti duhet të japë dorëheqje të parevokueshme, gjë të cilën ai nuk e tha dhe nuk e bëri. Po ashtu, mendoj se kjo deklaratë ka dalë edhe si rezultat i veprimit të grupeve të interesit, përkatësisht fraksioneve që ekzistojnë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Muçiqi është shprehur se në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të pasqyrohen mosmarrëveshjet e brendshme të grupeve dhe klaneve që kanë interesa të ndryshme.

“Mendoj se në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të reflektohen mosmarrëveshjet e brendshme të grupeve dhe klaneve të caktuara, të cilat janë akumuluar ndër vite për shkak të interesave të ndryshme. Po ashtu, mendoj se edhe jashtë strukturave aktuale të LDK-së është mobilizuar një fraksion, i cili vepron me një lloj logjistike për ta cenuar unitetin brenda LDK-së, duke pasur pretendime për rikthimin e politikave të kohës së Isa Mustafës. Ky klan sot është me “njërën këmbë” brenda LDK-së, duke koketuar me figura të pakënaqura që kanë dështuar në politikë dhe që tashmë kanë mbetur edhe jashtë anëtarësisë së LDK-së”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, nëse LDK-ja do të vlerësonte drejt gjendjen aktuale, Këshilli i Përgjithshëm duhet të shkarkonte Abdixhikun për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit.

“Nëse LDK-ja dhe strukturat e saj do të ishin në gjendje ta vlerësonin gjendjen momentale ashtu siç duhet, do të ishte e rrugës që Këshilli i Përgjithshëm, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit, ta shkarkonte pa asnjë dyshim Lumir Abdixhikun”, ka thënë ai.

LDK kërkon përgjegjësi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, profesor Milazim Maraj ka cekur se LDK ka pësuar rënie në zgjedhje dhe përgjegjësia kryesore i takon kryesisë, veçanërisht kryetarit Abdixhiku.

Ai vë në dyshim nëse humbja ishte paaftësi apo mision i qëllimshëm dhe kërkon dorëheqje të parevokueshme të kryetarit, me kërkim faljeje ndaj partisë.

“LDK në këto zgjedhje ka treguar rënie. Përgjegjësia për këtë rënie bije mbi kryesinë e LDK duke filluar nga Kryetari Dr. Lumir Abdixhiku. Këtë përgjegjësi ndoshta e kanë debatuar sot. Kjo rënie ka qenë graduale dhe Kryesia ka pas kohë të mjaftueshme të reflektoj. Këtë nuk e ka bërë (Lumiri 2025). Tani kjo ende nuk duket qartë nëse Lumir Abdixhiku e kishte mision apo ishte paaftësi e tij, që këtë parti e udhëhoqi drejt humbjes. Një parti me plotë vlera si LDK. Kryetari i pari do të duhej të jap dorëheqje të parevokueshme, duke kërkuar falje para kryesisë dhe para anëtarësisë, për këtë gjendje të krijuar në LDK. Tani nuk mund të behët fjalë për zgjedhje të rregullta në parti. Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak së ky kryetarë e ka sjell LDK në një situatë të jashtëzakonshme. Humbje të pa arsyeshme me një listë me kandidatë të shkëlqyeshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për funksion në profesionin e vet”, ka thënë ai.

Po ashtu, Maraj ka cilësuar se zgjedhjet në LDK duhet të fillojnë nga baza, duke rifituar strukturat e degëve dhe pastaj zgjedhjen e kuvendeve dhe kryesive, përfshirë kandidatët për Kuvendin dhe Kryesinë e Partisë.

 Image
 Milazim Maraj 
 

Ai shtuar se vetëm vota e fshehtë garanton zgjedhjen e kuadrove të merituar dhe besueshëm.

“Zgjedhjet në LDK duhet të fillojnë nga baza duke rikthyer strukturën që e kishte LDK. Pastaj të zgjidhen kuvendet dhe kryesitë e degëve, duke propozuar edhe kandidatët për anëtarë të Kuvendit të LDK dhe KP. Ky Kuvend i zgjedhur do ta zgjedh kryesinë dhe kryetarin e vet. Vetëm vota e fshehtë zgjedh kuadro të merituar dhe të besueshëm për anëtarësinë e gjerë në LDK. Vetëm vota e fshehtë i armatos me besim që në fillim. Filozofia politike e LDK dhe anëtarësia e saj nuk durojnë: centralizëm, program që nuk përshtatët me nevojat e kohës, prezantim personal në vend të prezantimit programor dhe vlerave që i ka. Program për zhvillim me vizion të qartë dhe të bazuar në bazën materiale, interesin e Kosovës para interesit të partisë dhe interesit të LDK para interesit personal, qëndrim për unifikim demokratik brenda LDK dhe brenda pluralizmit të Kosovës, ruajtja e aleancës më SHBA dhe BE dhe zgjerimi i kësaj aleance të shtetet tjera demokratike. Sistemimin e vlerave në bazë të kompetencave dhe përkrahjen e tyre”, ka theksuar ai.

Më tej, Maraj konsideron se dorëheqja e kryetarit para kuvendit nuk mjafton, përgjegjësia duhet të shkojë deri në fund.

“Instalimin e përhershëm të kritikes së shëndosh brenda partisë si terapi e domosdoshme për ruajtjen dhe krijimin e vlerave të reja në parti. Ruajtjen e unitetin demokratik si shembull që në LDK ka funksionuar edhe në kohet shumë më të vështira. Si forcë me të cilën LDK ka funksionuar edhe në kohët më të përgjakshme për LDK dhe për Kosovën. Ofrimi i dorëheqjes para kuvendit ekzistues nuk është veprim adekuat që e kërkon situata e krijuar nga Kryetari, kryesia dhe ky kuvend që ka zgjedhur kryesinë me duartrokitje. Rezultatet prezentë nuk janë vetëm gabim i kryesisë, përgjegjësia duhet të shkojë deri në fund. LDK ka kuadro të spikatur për të gjitha fushat që i duhen një shteti demokratik dhe të përparuar. Ka gjenerata të reja të shkëlqyeshme që kanë vizion dhe shkëlqejnë jo vetëm në Kosovë por edhe në Botë. Por këta nuk janë kuadro të bërrylave, duhet të krijohet atmosferë demokratike për zgjedhje demokratike. LDK nuk e ka luksin për të dhënë besimin veresi. Besimin duhet ofruar vetëm atij që ka mundësi, aftësi, të kaluare të pastër në biografi, moral kombëtar, vullnet dhe vizion të vërtetuar për udhëheqje etj. Në kryesi kërkohen njerëz të përgjegjshëm që bëjnë punë më përgjegjësi, të gatshëm për të u përgjigj dhe arsyetuar punën e vet me prurje dhe humbje”, ka deklaruar ai.

Në fund, Maraj foli edhe për rolin e mërgatës në LDK, duke hedhur akuza ndaj kryesisë për përzënien aktivistëve nga partia.

“Mërgatën LDK e kishte të shkëlqyeshme. Më këtë mërgatë ka mbajt shtetin e Kosovës para lufte, në luftë dhe pas lufte. Por ishte vet kryesia e LDK që përzëntë aktivistët e vet nga partia. Ishte kryesia e kaluar që injoroi punën dhe demokracinë në LDK, ishte qëndrimi servil i kryesive të më vonshme para situatave të ndjeshme në parti dhe në Kosovë që solli këtë gjendje. Vetëm zgjedhjet e përgjithshme e nxjerrin LDK nga kjo gjendje”, ka përfunduar Maraj.