Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Peci: Jusuf Gërvalla, Bardhoshi dhe Kadri Zeka mbeten frymëzim i përjetshëm për lirinë dhe Kosovën e heronjve

 
   

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka kujtuar figurën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në rrugën e shqiptarëve të Kosovës drejt lirisë, në përvjetorin e atentatit të 17 janarit 1982.

Në një postim në rrjete sociale, Peci ka vlerësuar se në gjysmën e dytë të shekullit XX, shqiptarët e Kosovës kaluan tri etapa deçizive drejt çlirimit, ndërsa platforma e parë, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me Jusuf Gërvallën.

“E para nga to, është platforma e Jusuf Gërvallës. Shkrimtari, artisti, kritiku, revolucionari e avangarda e mendimit politik, Jusuf Gërvalla kishte qenë bartës i platformës së parë për çlirim dhe kishte frymëzuar e bashkuar shqiptarët anëkënd kontinentit”, ka shkruar Peci.

Ai ka rikujtuar se ky angazhim kulmoi me atentatin e shërbimit sekret jugosllav, më 17 janar 1982, ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe shokut të tyre, Kadri Zeka.

“Sot, bashkë me krerët më të lartë të shtetit, kujtuam acarin e janarit 1982, që ndërpreu jetën e këtyre tre heronjve, por që i shndërroi ata në frymëzim të përjetshëm për liri”, ka theksuar Peci.

Peci ka bërë të ditur se nderimet janë zhvilluar në Dubovik, pranë varrit të Jusuf Gërvallës, ku janë vendosur lule të freskëta si shenjë respekti dhe kujtese.

“Nën hijen e blinit në Dubovikun e tij, ashtu si deshti e si kishte shkruar, pushon heroi Jusuf Gërvalla dhe ne vendosëm lule të freskëta për të treguar se kujtimi për të, për Bardhin e Kadriun është i freskët dhe udhërrëfyes për ne në ndërtimin, zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë, Kosovën e heronjve”, ka përfunduar Peci.