Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Histori

Jusuf Gërvalla emër që nuk e mbulon as koha as harresa

 
   

Në historinë e Kosovës ka emra që nuk i mbulon as koha, as harresa. Poet, muzikant, veprimtar dhe martir i fjalës së lirë. Ky ishte Jusuf Gërvalla, simbol i intelektualit dhe figurë qendrore e rezistencës shqiptare.

Jusuf Gërvalla lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik të komunës së Deçanit. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Pejë, ai filloi punën në Teatrin e Kosovës si pëshpëritës.

Në vitin 1969, bashkë me trupën e teatrit, shkoi në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur dramën e njohur “Duke pritur Godonë”.

Aty, Jusufi shfrytëzoi rastin për t’u dërguar të burgosurve politikë një mesazh shprese:

“Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen”.

Letra ra në duart e policisë, e cila e mori në pyetje dhe, si pasojë, ai u largua nga puna.

Më pas, Gërvalla u punësua në Shkup si përkthyes në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”.

Në vitin 1973 filloi punën në “Rilindje”, ku për pesë vjet u bë redaktor i faqes për radion dhe televizionin. Ai trajtoi tema sociale dhe kombëtare, shpesh kritike ndaj padrejtësive politike që u bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Qëndrimet e tij të hapura dhe angazhimi politik e vunë nën vëzhgimin e organeve të sigurisë. U mor disa herë në pyetje dhe u kërcënua me arrestim. Por Jusuf Gërvalla nuk u ndal.

Për t’i shpëtuar persekutimit politik, në fund të viteve ‘70 u detyrua të largohej nga Kosova dhe të emigronte në Gjermani. Nga mërgimi ai vazhdoi veprimtarinë atdhetare, duke u bërë një nga figurat qendrore të organizimit politik të mërgatës shqiptare.

U angazhua në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës dhe punoi pareshtur për informimin e opinionit ndërkombëtar dhe mobilizimin e diasporës për çështjen e Kosovës.

Pak zëra kanë ditur të flasin aq thellë dhe aq fuqishëm sa zëri i Jusuf Gërvallës. Më 17 janar 1982, Jusuf Gërvalla u vra së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.

Plumbat e asaj dite ia morën jetën, por nuk e shuan idealin. Jusuf Gërvalla u kthye në simbol të përjetshëm të sakrificës për liri.

Kënga e tij “Do të kthehem, nënë” mbeti amanet për të gjithë ata që dhanë jetën në rrugën e lirisë.

Jusuf Gërvalla tani jeton në përjetësi, aty ku fjala nuk vdes dhe kënga nuk hesht.