Evropianët janë tronditur të dielën nga njoftimi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump se tetë vende do të përballen me një tarifë prej 10% për kundërshtimin e kontrollit amerikan të Grenlandës.
Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të përballeshin me tarifën, raporton AP.
Disa vende evropiane kanë dërguar trupa në Grenlandë ditët e fundit, duke thënë se janë atje për trajnime sigurie në Arktik.
Njoftimi i Trumpit erdhi të shtunën, ndërsa mijëra banorë të Grenlandës po përfundonin një protestë jashtë Konsullatës së SHBA-së në kryeqytetin Nuuk.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Kina dhe Rusia do të përfitojnë nga përçarjet midis SHBA-së dhe Evropës.
Ajo shtoi në një postim në mediat sociale: “Nëse siguria e Groenlandës është në rrezik, ne mund ta adresojmë këtë brenda NATO-s. Tarifat rrezikojnë ta bëjnë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara më të varfëra dhe të minojnë prosperitetin tonë të përbashkët.”
Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar nuk janë pjesë e BE-së me 27 anëtarë, e cila vepron si një zonë e vetme ekonomike për sa i përket tregtisë.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse tarifat e Trump do të ndikonin në të gjithë bllokun. Të dërguarit e BE-së caktuan bisedime emergjente për të dielën në mbrëmje për të përcaktuar një përgjigje të mundshme.
Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, u zotuan të vazhdojnë solidaritetin e tyre të plotë me Danimarkën dhe Groenlandën.

