Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ende duke zhvilluar aksionin e sotëm edhe në komuna të tjera të Kosovës për mashtrimet në procesin e lëshimit për leje për armë, raporton KosovaPress.
Në mëngjesin e sotëm, Prokuroria Themelore ka zhvilluar një aksion edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku janë arrestuar dy persona zyrtarë për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në poligonin e një biznesi në Prishtinë, ku aty janë arrestuar dy persona për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala për KosovaPress ka thënë se dy personat të arrestuar në MPB, kanë lëshuar certifikata për leje të armëve tek qytetarët që nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme ligjore.
Ndërsa, dy personat e tjerë në poligonin e një biznesi janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Deri më tani janë arrestuar katër persona
“Me urdhër të gjykatës kompetente në bazë të kërkesës me shkrim nga Prokurori i shtetit, sot është realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme, ku deri më tani janë arrestuar katër persona, dy persona zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku edhe të cilët kanë lëshuar certifikata për leje të armëve tek qytetarët ku ata nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme ligjore, si dhe janë arrestuar dhe dy persona të tjerë në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat””, ka thënë Shala.
Shala ka bërë të ditur se gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit, Policia e Kosovës ka sekuestruar dokumentacione të nevojshme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm në procedurën hetimore lidhur me këtë çështje penale.
Tutje, Shala ka thënë se Prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë me shkrim në Gjykatën Themelore për caktimin e masave të sigurisë ndaj të pandehurve.
Gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit policia ka sekuestruar disa prova
“Gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit policia ka sekuestruar disa prova të tjera, dokumentacione të nevojshme të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm në procedurën hetimore lidhur me këtë çështje penale. Prokurori i shtetit po ashtu do të parashtrojë kërkesë me shkrim në gjykatën themelore për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të pandehurve”, ka shtuar ajo.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala ka treguar se kur pritet të përfundoj aksioni i Prokurorisë Themelore.
Aksionet e tjera janë ende në zhvillim e sipër
“Aksioni ka përfunduar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tek poligoni “Reload”, ndërsa aksionet e tjera janë ende në zhvillim e sipër dhe pritet të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë Shala.
Sipas burimeve të sigurta të KosovaPress, aksioni po zhvillohet edhe në tri komuna të Kosovës, (emrat e komunave të njohura për redaksinë)

