Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Nëse çorapet ju lënë shenja në këmbë, ja çfarë po sinjalizon trupi

Gjurmët e theksuara nga çorapet mund të jenë më shumë sesa problem estetik – në disa raste, ato tregojnë gjendje shëndetësore që kërkojnë vëmendje

Në fund të ditës, kur ndërroni rrobat e përditshme me pizhame, ndoshta vini re se çorapet ju kanë lënë shenja të thella në pulpë ose rreth kyçeve. Vijat duken të “gdhendura” në lëkurë dhe zhduken ngadalë. Shpesh mendohet se shkaku është thjesht masa e gabuar e çorapeve, por në disa raste, trupi po dërgon një sinjal të rëndësishëm shëndetësor.


Banner

Çorapet nuk janë vetëm aksesor praktik apo estetik. Ato mbrojnë këmbët, parandalojnë flluskat, ndihmojnë ecjen dhe ngrohin trupin. Megjithatë, momenti i heqjes së tyre shpesh shoqërohet me ndjeshmëri të lëkurës dhe shenja të dukshme shtrëngimi.

Në shumicën e rasteve, këto gjurmë janë të padëmshme dhe kalimtare. Por kur shfaqen shpesh, janë të theksuara ose zgjasin për orë të tëra, nuk duhet të injorohen.

Edema periferike – shkaku më i shpeshtë

Një nga arsyet më të zakonshme është edema periferike, gjendje në të cilën ndodh mbajtje e lëngjeve në pjesët e poshtme të trupit. Përveç shenjave nga çorapet, mund të vëreni: ënjtje të këmbëve dhe kyçeve, lëkurë të shtrënguar dhe me shkëlqim, ndjesi rëndese ose dhimbje, lëvizshmëri të kufizuar.

Kjo gjendje shpesh lidhet me qëndrimin e gjatë në këmbë, uljen e zgjatur, shtatzëninë ose ndryshimet hormonale, por mund të ketë edhe shkaqe më serioze.

Problemet me venat

Nëse shenjat zgjasin më shumë dhe shoqërohen me vena të zgjeruara, ngërçe të shpeshta, kruarje ose ndryshim të ngjyrës së lëkurës, mund të bëhet fjalë për insuficiencë venoze. Ky problem është mjaft i përhapur dhe kërkon vlerësim mjekësor, sidomos nëse simptomat përkeqësohen me kalimin e kohës.

Çrregullime të sistemit limfatik

Sistemi limfatik luan rol kyç në imunitet dhe largimin e toksinave. Kur funksionimi i tij dëmtohet, lëngjet grumbullohen në inde. Nëse ënjtja dhe shenjat nga çorapet shfaqen çdo ditë, shoqërohen me ndjesi të vazhdueshme rëndese dhe nuk tërhiqen as pas pushimit, mund të bëhet fjalë për limfedemë, një gjendje që kërkon vlerësim dhe trajtim profesional.

Ndikimi i medikamenteve

Disa barna, veçanërisht ato për rregullimin e tensionit të gjakut, mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve. Si pasojë, çorapet lënë shenja më të thella edhe nëse përdorni të njëjtin model si më parë.

Kur duhet treguar kujdes i veçantë

Këshillohet konsultë mjekësore nëse:

shenjat nuk zhduken as pas një ore
lëkura bëhet e ngrohtë, e dhimbshme ose ndryshon ngjyrë
ënjtja është më e theksuar vetëm në njërën këmbë
shfaqen vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje gjoksi
keni histori sëmundjesh të zemrës, veshkave ose mëlçisë
keni pasur së fundmi udhëtime të gjata ose fluturime
Në këto raste, kontrolli mjekësor është i domosdoshëm.

Si të shmangni shenjat e pakëndshme nga çorapet

Nëse çorapet ju lënë shpesh gjurmë të thella:

shmangni modelet me llastik të fortë
zgjidhni çorape pa qepje, prej materialesh të buta dhe ajrosëse (si pambuku)
merrni një numër më të madh, sidomos nëse jeni mes dy masave
lëvizni rregullisht dhe ngrini këmbët gjatë pushimit
Mbani mend: Shenjat nga çorapet shpesh janë të padëmshme, por kur trupi i përsërit ato çdo ditë, ia vlen të dëgjohet. Lëkura është një nga pasqyrat më të sinqerta të shëndetit.