Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Osmani: Kontributi i Kosovës në Bordin e Paqes do të jetë domethënës

 
   

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se kontributi i Kosovës në Bordin e Paqes të themeluar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë domethënës për shkak të përvojës në ndërtimin e paqes. Osmani në një deklarim para gazetarëve tha se Kosova është një prej sukseseve më të mëdha amerikane.

“Kontributi i Republikës së Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës tonë në ndërtimin e paqes. Kosova është një prej sukseseve më të mëdha amerikane, një prej sukseseve më të mëdha të aleancës euroatlantike, pikërisht në ndërtimin e paqes,  dhe besojmë që kemi çka të ofrojmë në aspektin e përvojës, në aspektin e perspektivës dhe në aspektin e vizionit në një iniciativë të tillë”, deklaroi e para e shtetit.

Tutje Osmani u shpreh se është shumë me rëndësi  që Kosova në këtë organizatë ndërkombëtare do të jetë e barabartë me të gjitha shtetet tjera dhe është ftuar  pikërisht nga themeluesja, e udhëheqësja e kësaj organizate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pra është një e arritur e jashtëzakonshme në kontekst të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe fuqizimit të aleancës tonë me SHBA”, deklaroi Osmani.

Sot, presidentja Osmani ka publikuar ftesën që i ka përcjellë asaj presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, shkroi Osmani kur tregoi për ftesën e Trumpit.