Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi në një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës se bota ndodhet “në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni”.
Ai theksoi se “fuqitë e mëdha kanë filluar ta përdorin integrimin ekonomik si armë, tarifat si leva, infrastrukturën financiare si shtrëngim, zinxhirët e furnizimit si dobësi për t’u shfrytëzuar”.
Carney shtoi se “Kanadaja ishte ndër të parat që dëgjoi thirrjen e zgjimit”, duke nënvizuar se gjeografia dhe aleancat historike nuk garantojnë më siguri apo prosperitet.
Duke iu drejtuar vendeve të fuqive të mesme, ai u bëri thirrje të bashkërendojnë veprimet. “Fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk jemi në tryezë, jemi në menu”, tha Carney të martën, duke shtuar se beson se shtetet e fuqishme po përdorin shtrëngimin ekonomik për të arritur qëllimet e tyre.
Fuqitë e mesme zakonisht përkufizohen si vende si Kanadaja, Australia, Argjentina, Koreja e Jugut dhe Brazili, të cilat, ndonëse nuk kanë ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm në politikën globale, edhe pse ekonomitë e tyre janë më të vogla.
Carney iu referua gjithashtu tensioneve me Shtetet e Bashkuara pas rikthimit të Donald Trump në detyrë, kur ai shpesh e quante Kanadanë “shteti i 51-të” dhe kërcënonte se do t’i bashkonte Kanadanë dhe SHBA-të përmes “forcës ekonomike”. Më pas, SHBA-të vendosën tarifa të larta ndaj fqinjit të tyre verior dhe partnerit kryesor tregtar.
Në fjalimin e tij, Carney riafirmoi mbështetjen e Kanadasë për Grenlandën, Danimarkën dhe aleancën e NATO-s, deklaratë që u prit me duartrokitje.
Si anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Kanadaja “qëndron fort me Grenlandën dhe Danimarkën” dhe mbështet “të drejtën e tyre unike për të përcaktuar të ardhmen e Groenlandës”, tha ai.
Mediat kanadeze raportuan më herët këtë javë se Kanadaja po shqyrton dërgimin e një kontingjenti të vogël trupash në Grenlandë, për t’iu bashkuar forcave daneze dhe të tjera evropiane në stërvitje ushtarake në rajon.
Carney përfundoi duke theksuar se, për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike, Kanadaja tani është e përqendruar në forcimin e angazhimit me vende të tjera dhe në ndërtimin e “koalicioneve të ndryshme për çështje të ndryshme bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta”.

