Lajme

A do ta fitojë Abdixhiku një mandat të ri? Halili tregon çfarë pritet nga Kuvendi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku delegatët pritet të vendosin për drejtimin e partisë. Mbledhja vjen pasi janë përmbushur të gjitha procedurat statutare për thirrjen e saj.

Analisti politik, Nijazi Halili ka folur për “Bota sot” rreth situatës së krijuar në LDK para Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Halili ka deklaruar se debatet e zhvilluara deri më tani pasqyrojnë ekzistencën e qasjeve të ndryshme brenda partisë, të cilat janë pjesë e një procesi normal demokratik.

“Situata në LDK përbën një nga momentet më të rëndësishme politike për vetë partinë, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjen e një kryetari, por edhe për përcaktimin e drejtimit që do të ndjekë në vitet e ardhshme. Reagimet dhe qëndrimet e shfaqura deri më tani dëshmojnë se brenda LDK-së ekzistojnë qasje të ndryshme për mënyrën e organizimit dhe të pozicionimit politik. Kjo nuk duhet parë domosdoshmërisht si dobësi, por si një proces i natyrshëm në një parti demokratike, me kusht që debatet të zhvillohen mbi parime politike dhe jo mbi ndarje personale.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm pritet të jetë momenti kyç i këtij procesi. Vendimi i delegatëve do të përcaktojë jo vetëm fatin e lidershipit aktual, por edhe mesazhin që LDK dëshiron t’i dërgojë elektoratit. Nëse Lumir Abdixhiku e fiton besimin për një mandat tjetër, kjo do të interpretohet si vazhdimësi e kursit aktual dhe si një konfirmim i mbështetjes për drejtimin e deritanishëm të partisë. Nëse ndodh e kundërta, atëherë LDK do të hyjë në një fazë të re politike, ku do të hapet gara për një lidership të ri dhe për një rikonfigurim të prioriteteve të saj”, ka thënë ai.

Image
Analisti politik, Nijazi Halili

Duke folur për emrat që mund të marrin drejtimin e partisë në rast të ndryshimeve në krye të saj, Halili është shprehur se aktualisht është herët për të përcaktuar një favorit, duke nënvizuar se faktori vendimtar do të jetë aftësia për të bashkuar strukturat e brendshme të LDK-së.

“Sa i përket emrave të mundshëm, në këtë fazë është e vështirë të identifikohet një favorit i qartë. LDK ka figura me përvojë institucionale dhe politike që potencialisht mund të pretendojnë drejtimin e partisë, por çdo parashikim do të ishte spekulativ. Në fund, vendimtare nuk do të jetë vetëm pesha individuale e kandidatit, por aftësia e tij ose e saj për të krijuar konsensus të brendshëm, për të ruajtur kohezionin e partisë dhe për ta pozicionuar LDK-në si një alternativë konkurruese në skenën politike të Kosovës.

Pavarësisht rezultatit të Kuvendit, sfida kryesore për LDK-në mbetet ruajtja e unitetit dhe dalja nga ky proces me legjitimitet të plotë politik. Për një parti me traditë të gjatë institucionale, mënyra se si menaxhohet ky tranzicion do të jetë po aq e rëndësishme sa edhe vetë emri i kryetarit të ardhshëm”, ka përmbyllur Halili për “Bota sot”.

Të Ngjashme