Lajme

​A ka votë Lëvizja Vetëvendosje për nënkryetarin nga komuniteti serb?

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, është optimist se nesër do të konstituohet legjislatura e dhjetë e Kuvendit, si dhe do të formohet qeveria e re. Megjithatë, ai nuk tregon se si do të veprojnë në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Ai për KosovaPress thotë se nuk mund t’i parasheh dinamikat e seancës konstituive, megjithatë u mbetet deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

“Po, pas konstituimit të Kuvendit, menjëherë hapet mundësia dhe procedura për zgjedhjen e qeverisë. Natyrisht, parashihen disa veprime, siç është caktimi i mandatarit dhe dekretimi i mandatarit për kryeministër nga ana e presidentes së Republikës. Unë nuk e di a përmbushet kjo brenda ditës apo jo. Teorikisht është e mundshme, domethënë ka ndodhur në vitin 2021, por mbetet të shihet. Mbetet të shihet procesi i konstituimit dhe besoj që pas konstituimit do të jenë menjëherë veprimet tona të shpejta: zgjedhja e qeverisë dhe pastaj kalimi tek miratimi i buxhetit të shtetit për këtë vit”, deklaron Rrustemi.

Rrustemi kërkon nga Kryesia e vjetër e Kuvendit, e cila do të mblidhet sot, që t’i përcaktojë modalitetet për mbarëvajtjen e seancës konstituive.

Deputeti i LVV-së thotë se aty duhet të përcaktohet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve shqiptarë, si dhe zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, në pako apo ndaras.

“Nuk mund t’i parashoh dinamikat e Kuvendit në seancën e nesërme. I mbetet gjithsesi Kryesisë së vjetër për të diskutuar dhe për të përcaktuar modalitetet se si e sheh procesin e konstituimit ditën e nesërme dhe modalitetet e votimit. Dhe në anën tjetër i mbetet natyrisht deputetëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Po, ajo që e dimë tashmë është që Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet dhe nuk mund të kalohet në faza të tjera, siç është zgjedhja e qeverisë apo miratimi i buxhetit, për sa kohë nuk kemi konstituim të Kuvendit. E në anën tjetër kemi, siç e dini edhe ju dhe opinioni publik, një periudhë të shkurtër të veprimeve të shpejta, intensive dhe të rëndësishme. Deri më 5 mars duhet të përmbyllet konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e qeverisë, miratimi i buxhetit, Plani i Rritjes dhe padyshim edhe zgjedhja e presidentit apo presidentes së Republikës”, potencoi Rrustemi.

Megjithatë, ai kritikon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se ai i ka dhënë Listës Serbe një rol të mbivendosur në procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit.

“Unë nuk mund t’i parashoh dinamikat e konstituimit dhe nuk mund ta parashoh sjelljen e deputetëve, sepse fatkeqësisht Gjykata Kushtetuese, duke i dhënë një levë të tillë Listës Serbe, e ka mbivendosur të drejtën e deputetit për të shprehur vullnetin lirisht. Domethënë, në njërën anë kemi mandatin e lirë të deputetit për të votuar pro, kundër dhe abstenim, dhe në anën tjetër kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ia ka konservuar Listës Serbe të drejtën e propozimit si e drejtë ekskluzive për nënkryetar të Kuvendit. Domethënë, vetëm propozimi nuk mjafton, duhen edhe 61 vota për nënkryetarin”, shton ai.

Rrustemi bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zhvilluar diskutime me asnjë parti politike për formimin e një koalicioni qeverisës. Ai thotë se rezultati zgjedhor dhe mandatet e fituara e bëjnë të panevojshëm një bashkëpunim të tillë për formimin e Qeverisë, megjithëse paralajmëroi se do të ketë dialog me partitë opozitare për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit.

“Nuk ka pasur diskutim të brendshëm për sa i përket ndonjë mundësie të koalicionit për qeveri. Domethënë, vota e qytetarëve dhe mandatet e fituara e bëjnë të panevojshme një bashkëpunim në kuptimin e koalicionit për zgjedhjen e qeverisë. Domethënë, nevojën e kemi pasur vitin e kaluar, domethënë me rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Aktualisht, sa i përket qeverisë, nuk kemi vështirësi dhe probleme. Po, duhet të kemi dhe do të kemi diskutime me partitë opozitare për sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Planit të Rritjes që kërkon së paku 80 deputetë për ratifikim, dhe në anën tjetër gjithsesi zgjedhjen e presidentit apo presidentes së Republikës”, thotë ai.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar më 11 shkurt mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Më 9 shkurt KQZ-ja certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 51 për qind të votave, duke siguruar 57 deputetë në Kuvend.

Të Ngjashme