Lajme

​A kanë kushte deputetët nga komunitetet joserbe për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit?

 
   

Tetë deputetë nga komunitetet joshumicë janë të gatshëm të votojnë për formimin e institucioneve të reja, thotë deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi. Ajo thekson se të njëjtit nuk kanë asnjë kusht për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.

Rexhepi thotë për KosovaPress se dy ditë më parë ka pasur një takim mes deputetëve nga komunitetet për formimin e grupit parlamentar multietnik, mirëpo, sipas saj, aty nuk bëjnë pjesë deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha dhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje. Të njëjtit nuk e patën votuar qeverinë Kurti 3 në legjislaturën e nëntë.

KosovaPress ka kontaktuar me Berishën dhe Baljen, mirëpo kanë qenë të paqasshëm.

Rexhepi, e cila aktualisht është edhe nënkryetare e Kuvendit e zgjedhur në legjislaturën e nëntë, thotë se në grupin parlamentar multietnik do të bëjnë pjesë ajo dhe Rasim Demiri si deputetë nga komuniteti boshnjak, Ergul Mazrek dhe Fatma Taçi si deputetë nga komuniteti turk, deputeti nga komuniteti ashkali Artan Asllani, deputeti nga komuniteti egjiptian Elbert Krasniqi, deputeti nga komuniteti serb Nenad Rashiq dhe deputeti nga komuniteti rom Erxhan Galushi.

Rexhepi: Ne votojmë për qeverinë Kurti 3 dhe presidentin e ri, nuk kemi asnjë kusht

“Kemi pasur një darkë të përbashkët komunitetet e ndryshme për të vazhduar punën dhe formuar grupin multietnik, siç e kemi pasur mandatin e kaluar. Ne po presim konstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë dhe votimin e presidentit… Ne votojmë qeverinë Kurti 3. Për neve është me rëndësi të votohet parlamenti dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, buxheti dhe më pastaj presidenti… Ne komuniteti nuk jemi për kushte, por jemi për të qenë të barabartë dhe themelimin e institucioneve dhe jo stagnimin e të njëjtave”, thotë ajo.

Ajo është kategorikisht kundër që në grupin parlamentar multietnik të përfshihet edhe deputetja tjetër nga komuniteti boshnjak, Duda Balje. Në anën tjetër, Rexhepi është e hapur që në këtë grup të përfshihet deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha.

Rexhepi: Duda Balje nuk mund të përfshihet në grupin parlamentar multietnik

“Ne që kemi qenë tetë deputetë në mandatin e kaluar, ne jemi dakorduar për të vazhduar punën, por shohim në të ardhmen sesi është situata. Ama deri tash jemi tetë deputetë dhe do të vazhdojmë si të tillë… Për Duda Baljen jo… Ne si grup jemi dy deputetë nga komuniteti boshnjak, unë dhe Rasim Demiri, dy deputetë prej komunitetit turk, një deputet serb, një deputet ashkali, një deputet egjiptian dhe një deputet rom nga Prizreni dhe vazhdojmë siç kemi qenë deri tash bashkë dhe vazhdojmë më tutje”, potencon Rexhepi.

Përkrahjen e këtyre deputetëve nga komunitetet joshumicë ndaj qeverisë Kurti 3 e konsideron të pritshme analisti politik, Blerim Canaj.

Sipas tij, të njëjtit e kanë përkrahur Kurtin edhe në legjislaturën e kaluar, kur s’i ka pasur votat për qeveri.

Ai është skeptik se LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, do t’i përfshijë në koalicion qeverisës deputetët Veton Berisha dhe Duda Balje, pasi të njëjtit s’e kanë votuar qeverinë e propozuar nga Kurti para disa muajve.

Canaj: Është në dorën e LVV-së se kë nga komunitetet dëshiron partneritet, ka një ftohje me Duda Baljen

“Secili politikan i ka kalkulimet e veta dhe synimet e veta, sikurse e thashë. Ne e dimë cila ka qenë kërkesa e Duda Baljes, që ndoshta edhe ka qenë përtej mundësisë edhe të saj që të marrë atë që ka dëshiruar, mendoj edhe përtej mundësisë së qeverisë, kushdo që do ta kishte marrë atë qeveri, që ta ofrojë atë. Dhe natyrisht që pastaj ka ftohje, mund të ketë ftohje, në mes të grupeve apo edhe personave politikë. Tash mund të jetë një mesazh për Duda Baljen, në kuptimin e asaj që në fund të ditës është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje se me kë bën partneritet apo me kë dëshiron që të ecë proceset përpara, në qoftë se ka interes të ecë proceset përpara. Në fund të ditës është çështje e bashkëpunimit dhe Duda Balje thjesht duhet të synojë që të ofrohet me bashkëpunim, në qoftë se ka qëllime të saj. Por që të kërkohet një komunë, për shembull, që të kërkohet një ministri me një votë, është paksa e tepërt”, thekson Canaj.

Në anën tjetër, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, thotë se ende nuk kanë biseduar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ndarjen e posteve qeveritare.

Rexhepi në qeverinë Kurti 2 ka mbajtur postin e zëvendëskryeministres.

Rexhepi: Për postet qeveritare ende nuk kemi biseduar me Kurtin

“Poenta ka qenë vetëm me u dakordu, me qenë grupi siç kemi qenë me një seriozitet të plotë për të gjitha komunitetet dhe me vazhdu punën në Kuvend. Pastaj secili veç e veç flasim me kryeministrin për qeverinë”, shton Rexhepi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit javën e kaluar. Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet me mbi 51 për qind të votave.

Ulëse në Kuvendin e Kosovës nga komunitetet joshumicë ka fituar edhe Lista Serbe me nëntë sosh, si dhe një ulëse e ka fituar deputeti nga komuniteti goran, Adem Hoxha.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme