
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka thënë se të gjitha partitë politike, pos Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë mirëpritur propozimin e këtij subjekti politik për një qeveri gjithëpërfshirëse.
Në emisionin DPT Fidani, ai ka theksuar se kjo qeveri nëse bëhet, sipas LDK-së, zgjat deri në pranverën e vitit tjetër.
“Të gjitha partitë politike, përpos partisë fituese Lëvizjes Vetëvendosje, kanë mirëkuptim për propozimin e LDK-së për një qeveri e cila me një mandat të qartë do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e reja parlamentare diku në pranverën e vitit tjetër atëherë kur janë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Propozimi ynë bazohet në një realitet të numrave, numrat janë kokëfortë”, u shpreh Rukiqi.
I pyetur se a mund që presidentja Vjosa Osmani të bind LDK-në për të ndryshuar qëndrim për situatën e tanishme ku ka moskonstituim të Kuvendit, ai tha se ky subjekt politik ka paraqitur zgjidhjen që e sheh si më të mirën.
“Presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë thirrje të takimit për ndryshim të qëndrimeve. Takimi ka qenë në funksion të dëgjimit të palëve për propozimet që i kanë, LDK-ja ka propozim të qartë në bazë të realitetit që është krijuar në bazë të numrave që i kemi, një situatë pa pozicion nëse i referohemi lojës së shahut, nuk ka shumicë parlamentare as LVV-ja e as tri partitë e tjera, as në situatën kur dikush ka ndonjë ide tjetër që mund të krijohet një shumicë parlamentare”.
“Ne kemi ofruar zgjidhjen tonë një qeveri që është gjithëpërfshirëse e cila ka mandat të qartë, me disa tema të rëndësishme të cilat janë të interesit nacionale dhe të cilat janë në interes të qytetarëve për këtë periudhë që ka mbetur deri në afatin për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Rukiqi.