Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të konsiderohen strategjike, por mungesa e koordinimit institucional ka krijuar pakënaqësi dhe kritika në opinionin publik.
Vlerësohet se Shqipëria mbetet një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës në arenën ndërkombëtare, por kërkohet një angazhim më i dukshëm dhe më i bashkërenduar.
Ndërkohë, kritikat përqendrohen te mungesa e një zëri të përbashkët politik dhe diplomatik mes dy shteteve shqiptare.
Sipas këtyre vlerësimeve, dallimet politike mes qeverive kanë ndikuar në dobësimin e bashkëpunimit institucional.
Koordinimi në politikën e jashtme dhe çështjet me interes kombëtar shihet si domosdoshmëri për forcimin e pozitës së të dyja vendeve.
Rikthimi i një partneriteti më të fuqishëm kërkon tejkalimin e përplasjeve politike dhe vendosjen e interesit shtetëror në plan të parë.
Dili vlerëson se partneriteti mes dy shteteve duhet të forcohet përmes koordinimit më të madh diplomatik
Kështu, analisti politik Visar Dili vlerëson se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të jenë strategjike dhe të veçanta, pavarësisht dallimeve të herëpashershme në qasjet politike.

Visar Dili
“Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë mbeten strategjike dhe të veçanta, pavarësisht se në periudha të caktuara mund të ketë pasur dallime në qasje politike apo në prioritete. Është normale që dy shtete sovrane të mos kenë gjithmonë të njëjtin ritëm apo të njëjtat qëndrime për çdo çështje”, deklaroi Dili, për ‘Bota sot’.
Sipas tij, nuk mund të thuhet se Kosova ka humbur mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, megjithëse thekson se ka nevojë për një koordinim edhe më të madh diplomatik.
“Nuk do të thosha se Kosova e ka humbur mbështetjen e Shqipërisë në diplomaci, por është e rëndësishme që kjo mbështetje të jetë sa më e dukshme, e vazhdueshme dhe e koordinuar. Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga zërat kryesorë në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, megjithatë gjithmonë ka hapësirë për më shumë angazhim dhe koordinim diplomatik”, u shpreh ai.
Dili theksoi se, edhe nëse qasja e Tiranës ka ndryshuar në përputhje me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, interesi strategjik për Kosovën duhet të mbetet i pandryshueshëm.
“Qasja e Tiranës mund të ketë evoluar në përputhje me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, por interesi strategjik për një Kosovë të fortë, të integruar dhe të njohur ndërkombëtarisht duhet të mbetet i pandryshueshëm”, tha ai.
Në fund, analisti bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet dy vendeve në politikën e jashtme.
“Në këtë kohë, më shumë se kurrë, nevojitet bashkëpunim i ngushtë institucional, koordinim në politikën e jashtme dhe një zë i përbashkët për çështjet me interes kombëtar. Forca e Kosovës dhe e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare rritet kur ato veprojnë në partneritet dhe me besim të ndërsjellë”, përfundoi Dili.
Demaj kritikon ashpër mungesën e koordinimit mes Prishtinës dhe Tiranës, duke kërkuar rikthimin e bashkëpunimit institucional
Kurse, analisti tjetër politik Vendim Demaj ka kritikuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se përtej lidhjeve historike e kombëtare, mungon një bashkëpunim i mirëfilltë institucional mes dy shteteve.

Vendim Demaj
“Fatkeqësisht, sot marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë janë reduktuar vetëm në marrëdhënie vëllazërore”, ka deklaruar Demaj, për ‘Bota sot’.
Sipas tij, raportet shtetërore mes Prishtinës dhe Tiranës ndodhen në një pikë të dobët, për shkak të mungesës së koordinimit politik dhe institucional.
“Sot dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, ndodhen në situatën më të keqe të mundshme që dy shtete mund të kenë me njëra-tjetrën, pasi mes tyre nuk ka bashkëpunim të mirëfilltë shtetëror dhe kjo, sipas meje, lidhet me përplasjet dhe qasjet personale politike të liderëve aktualë”, është shprehur ai.
Demaj ka përmendur si shembull mungesën e koordinimit edhe në politikën e jashtme, duke kritikuar vendimet e Tiranës që, sipas tij, nuk janë paraprirë nga konsultimi me Prishtinën.
“Mosbashkëpunimi duket më qartë se kurrë në çështjet e politikës së jashtme, ku mungon një qasje e përbashkët mes dy qeverive. Veprimet e njëanshme në raport me çështjet rajonale dëmtojnë interesat e përbashkëta”, ka thënë Demaj.
Ai ka vlerësuar se mungesa e koordinimit mes dy kryeqyteteve ndikon edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Duke mos pasur bashkëpunim mes Tiranës dhe Prishtinës, edhe përfaqësimi dhe lobimi ndërkombëtar për Kosovën mbetet më i dobët, për shkak të mungesës së një strategjie të përbashkët”, ka deklaruar ai.
Në fund, Demaj ka theksuar se rikthimi i një bashkëpunimi më të fuqishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë kërkon ndryshim të qasjes politike.
“Bashkëpunimi dhe rikthimi i marrëdhënieve të fuqishme mes dy shteteve tona do të ndodhë atëherë kur Prishtina dhe Tirana të vendosin interesin shtetëror mbi dallimet dhe përplasjet politike”, ka përfunduar Demaj.
