Lajme

​A u vonua KFOR-i në Banjska? U veprua në mënyrë profesionale dhe me shpejtësinë e duhur, thotë Ulutash

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Ozkan Ulutash ka thënë se kjo forcë është e përgatitur në rast se në Kosovë ndodh ndonjë rast tjetër i ngjashëm me atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, në shtator 2023.

“Nuk dua të hyj në spekulime. Si ushtarakë, ne asnjëherë nuk marrim asgjë si të mirëqenë dhe jemi gjithmonë të përgatitur për çdo skenar. Për këtë arsye, KFOR-i zhvillon rregullisht aktivitete për të përmirësuar aftësitë e personelit tonë dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”, tha ai një intervistë me shkrim për kp.

“Megjithatë, mund të them me bindje se situata e sigurisë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Përpjekjet e përditshme të KFOR-it – të cilat i përshkrova më sipër – kanë luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Tani duhet të ndërtojmë mbi këtë progres dhe të sigurohemi që arritjet e fituara me shumë përpjekje të ruhen. Për këtë arsye, do të vazhdojmë të garantojmë që KFOR-i të mbajë një prani efektive operacionale në terren”.

Pas sulmit në Banjskë, NATO dislokoi trupa shtesë në Kosovë. Ulutash nuk zbuloi detaje rreth asaj se qysh do të veprohet me praninë e përforcuar, në të ardhmen por tha se për gjithçka, do të vendoset bazuar në një analizë të kujdesshme të disa treguesve të sigurisë.

“Nuk jam në pozitë të zbuloj detaje operacionale. Kjo është thelbësore për të ruajtur efektivitetin dhe fuqinë parandaluese të KFOR-it. Megjithatë, mund t’ju them se ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo zhvillim relevant të sigurisë dhe do të sigurohemi gjithmonë që misioni ynë të jetë i pozicionuar siç duhet dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij”, tha ai. “Siç kam thënë edhe më parë, procesi i optimizimit të pranisë së KFOR-it bazohet në një analizë të kujdesshme të disa treguesve të sigurisë. Ai do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë”.

Jo pak zëra në Kosovë pretenduar se KFOR-i reagoi shumë ngadalë gjatë sulmit në Banjskë dhe se kjo forcë duhej të kishte pasur paraprakisht informacione inteligjente për grupin e armatosur që kreu agresion në Kosovë.

Ulutash tha se trupat e NATO-s u treguan profesionistë,

“KFOR-i veproi në mënyrë profesionale dhe me shpejtësinë e nevojshme, në përputhje të plotë me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së dhe sipas procedurave e protokolleve të vendosura. Gjithashtu, si rezultat i atyre ngjarjeve që përmendët, KFOR-i e ka përshtatur më tej praninë e tij në terren”, tha ai. 

Të Ngjashme