Lirimi i më së paku 50 për qind i TVSH-së për derivatet dhe heqja e përkohshme e akcizës ishin dy nga masat urgjente që kërkoi shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ai i dorëzoi kërkesë zyrtare gjatë ditës së sotme kësaj ministrie.
Ai thotë se është thelbësore që Qeveria të marrë veprime sa më shpejt për shkak se çmimi i derivateve është duke afektuar rritje zixhirore të ushqimit të të gjitha produkteve bazë, por edhe duke pamundësuar punën e sektorit privat.
Tahiri: Kërkojmë që qeveria urgjentisht t’i marrë katër masa
“Letrën e kemi dorëzuar për ministren e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit dhe kemi kërkuar që qeveria urgjentisht t’i marrë katër masa. Në këtë drejtim e vlerësojmë se katër masat e menjëhershme duhet të jenë konkrete edhe ato të merren sot: Lirimi i menjëhershëm i së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet., Heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut që së bashku me TVSH-në do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth dikon 40 cent., Duhet urgjentisht të krijohet një Task-forcë që e përbashkon Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqata të tjera relevante në mënyrë që ministria përkatëse MTI-ja, mirëpo edhe Ministria e Financave të marrë analizë të saktë se çka duhet dhe pse duhet të ndodhë tani. Dhe marrja me qira e deponive ekzistuese, janë diku pesë a gjashtë kryesore për të krijuar rezerva maksimale në mënyrë që të ketë strategji të saktë për trajtimin e kësaj teme”, tha Tahiri.
Ai shton se ndoshta qëllimi i mosmarrjes së masave nga qeveria mund të jetë edhe krijimi i sa më shumë të hyrave, por sipas Tahirit, këto janë inflacion, sepse kur rritet çmimi në TVSH, përfiton më shumë qeveria.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së propozon që të ketë një analizë më të saktë dhe veprimet të ndodhin menjëherë.
Në lidhje me kërkesat për heqjen e përkohshme të akcizës dhe TVSH-së, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari- Lila tha se akciza është e përcaktuar me ligj dhe çdo ndryshim kërkon miratim nga Kuvendi, ndërsa heqja e TVSH-së konsiderohet e vështirë për t’u zbatuar.
Kusari-Lila: TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit, në situatën aktuale mbesin ashtu si janë
“Si e parë e punës, akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht për çfarëdo ndryshimi duhet kuvendi. Dhe e dyta që TVSH-ja në këtë rast edhe akciza janë të hyra të buxhetit të Kosovës, të cilat në situatën aktuale mbesin ashtu si janë, vetëm se jemi duke shikuar cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtejshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit. Do të thotë që mos të ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe tek produktet e tjera… TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë opsion për shkak se është shumë problem të përcillet TVSH-ja pasi që është tatimi në vlerën e shtuar, është ajo çfarë paguhet nga qytetari, do të thotë nga secili konsumator fundor… Ndërsa sa i përket akcizës, mbetet të përcillet në situatën aktuale nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e akcizës, por përcjelljen e situatës në të cilën çmimi i importuar nuk e kalon çmimin tavanit i cili është 12 cent në pakicë dhe 2 cent në shumicë.”, tha ajo.
Ndërsa sa i përket dy propozimeve të tjera të AAK-së, Kusari- Lila thotë se pajtohen dhe janë në synimet e tyre në përballimin e situatës aktuale ekonomike në vend.
Kusari-Lila: Pajtohem plotësisht në dy propozimet e tjera, pjesë e letrës së deputetëve të opozitës
“Njëra prej kërkesave që ishte nga deputetët e opozitës për një grup të përbashkët apo një taskforcë të përbashkët është dhe mbetet edhe në synimin tonë. Shumë shpejt ne do të dalim me një njoftim ku bashkë ministria, doganat, administratat tatimore, por natyrisht edhe organizatat e bizneseve do të jenë në takim të përditshëm besoj për të përcjellë situatën edhe për të diskutuar për hapat e tjerë…. Pajtohem plotësisht në dy propozimet e tjera të cilat ishin pjesë e letrës së deputetëve të opozitës në këtë rast në të cilën sa i përket rezervave strategjike dhe koordinimit ndërinstitucional edhe bashkë me sektorin privat. Synimi i ministrisë siç e dini edhe i qeverisë së republikës mbetet tek konsumatori”
Kusari Lila tha se efekti i rritjes së çmimit të derivateve është e pashmangshëm, pavarësisht që vendi ynë ka vendosur marzhën tavan mbi çmimin e e importuar e cila është e bazuar në çmimin në kufi.
Kusari- Lila: Ne jemi shtet tërësisht importues i derivateve
“Edhe një herë më duhet t’i ritheksoj disa fakte që qëndrojnë fort në raport me atë se cili është pozicioni i shtetit të Kosovës në tregun e derivateve. E para e punës është se ne jemi shtet tërësisht importues i derivateve. Rjedhimisht secili ndryshim i çmimit në berzën ndërkombëtare do të reflektohet në sasinë e importuar të derivateve në Kosovë. E dyta është se është një situatë e jashtëzakonshme. Domethënë nuk po flasim për rrethana normale të lëvizjes së çmimit apo tendencës për abuzim nga operatorët ekonomikë, por po flasim për rrethana kur në berzën ndërkombëtare e në të gjitha vendet të cilat lidhen drejtpërdrejt me mbartjen apo transportin e naftës përmes ngushticës së Hormuzit e cila tashmë është vatër e përplasjeve apo betejave, po afektohen drejtpërdrejt nga çmimi i ngritur i derivateve. Ne kemi qenë vendi i parë në rajon që kemi vendosur marzhën tavan mbi çmimin e importuar dhe ajo është edhe një herë më duhet të ritheksoj e bazuar në çmimin në kufi. Do të thotë çmimet luhaten apo çmimi ndryshon brenda varësisht prej çmimit i cili importohet një ditë më pare. Si rjedhojë e kësaj, Kosova ka arritur të mbajë një kontroll mbi çmimin e derivateve”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se ministria është duke monitoruar tregun për të parandaluar abuzimet dhe po përgatisin masa strategjike për të rritur qëndrueshmërinë ndaj krizave të tilla. Po ashtu sipas saj janë duke përgatitur planifikimet strategjike për të rritur rezistencën ndaj rrethanave të krijuara në tregun botëror.
