Lajme

AAK: Kuvend e financoi ekspozitën por mundohet të ikë nga përgjegjësia

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kritikuar institucionet e Kosovës për shmangie të përgjegjësisë lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila ishte vendosur në sheshet e Prishtinës.

Derisa Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme, kishin financuar ekspozitën të cilën zyrtarët e Komunës së Prishtinës e kanë hequr nga sheshet pas reagimeve të qytetarëve për pasaktësi në numrin e viktimave të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë, si dhe pasaktësi tjera, Tahiri në një konferencë për media, tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar në menaxhimin e situatës dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me përmbajtjen e ekspozitës, duke shtuar se mungesa e përgjegjësisë po vazhdon në nivele të ndryshme institucionale.

Tahiri: Kuvend e financoi ekspozitën por mundohet të ikë nga përgjegjësia

“ Është totalisht e pakuptimtë se si i përvidhet, se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, dështon Kuvendi i Kosovës, dështon ministrja përkatëse dhe mbështetet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, pasaktësi të të dhënave të cilat i demantojnë burimin. Pra, burimi i informacionit thotë: ‘Këto nuk janë të dhënat e mia’, domethënë largone këtë ekspozitë. Dhe në anën tjetër, secili në institucion, në këtë pushtet, mundohet me ike prej përgjegjësisë. Mundohet me ikë prej përgjegjësie Lëvizja Vetëvendosje duke thënë që ‘na e kemi përjashtuar autorin nga Lëvizja Vetëvendosje, nga zyra e kryeministrit’. Mundohet me ike nga përgjegjësia Qeveria, Ministria e linjës thotë: ‘Jo, na nuk dimë për këtë punë kurgjë’. Dhe në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës i cili e ka financuar, po ashtu mundohet me ikë nga përgjegjësia.” – u shpreh Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe grupi i saj parlamentar kanë adresuar një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, duke kërkuar që çështja të trajtohet me seriozitet dhe të sigurohet transparencë lidhur me procesin dhe burimin e informacionit të përdorur në ekspozitë.

Sipas tij, rasti ka prekur fillimisht viktimat e burgut të Dubravës, më pas historinë dhe në fund edhe institucionet e vendit, duke theksuar nevojën për sqarim dhe përgjegjësi institucionale.

Tahiri ka shtuar se është e papranueshme që përmbajtje që lidhen me tema të ndjeshme historike dhe me viktimat të publikohen nën logon e institucioneve shtetërore pa verifikim të duhur, duke kërkuar që rasti të trajtohet me kujdes nga organet përgjegjëse.

Të Ngjashme