Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

AAK: Nëse Kurti nuk e konstituon Kuvendin deri më 26 korrik, t’i hiqet e drejta e kandidimit

 
   

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për uzurpim të Kuvendit dhe institucioneve të vendit, duke kërkuar masa konkrete nëse deri më 26 korrik nuk bëhet konstituimi i legjislaturës së re.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë – ke të drejtë të propozosh kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk ke të drejtë të bllokosh funksionimin e institucioneve. Nëse kjo situatë vazhdon edhe pas 26 korrikut, duhet të shqyrtohet mundësia që z. Kurti t’i merret e drejta e kandidimit”, u shpreh Kadrijaj pas përfundimit të seancës së Kuvendit.

Ajo e cilësoi Kurtin si një “diktator” që, sipas saj, po e përdor Kuvendin si trampolinë për të marrë vendime në qeveri dhe më pas për të sulmuar pushtetin gjyqësor.

Gjatë debatit, Kadrijaj ironizoi me mungesën e Kurtit në seancën e kaluar, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një simpozium në Greqi.

“Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe në emër të popullit të Kosovës, i dëshiroj mirëseardhje të suksesshme në vendlindje deputetit Albin Kurti. Shpresoj që e ke kaluar mirë…”, deklaroi Kadrijaj, para se t’i ndërpritej mikrofoni.