Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpifjeve që, sipas tij, kanë përfshirë bashkëshorten e tij, Albinën.
Ai thekson se në ditët me zhvillime me interes kombëtar, disa grupe përpiqen të përfshijnë edhe familjet e figurave publike, duke i atribuar pretendime të pavërteta për “përfitime politike” dhe “tregti me energji elektrike”.
“Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve. Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për “përfitime politike” e “tregti me energji elektrike”. Sa lehtë shpifet këndej”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Abdixhiku shprehu mbështetje të plotë për bashkëshorten e tij, e cila, siç tregon ai, ka vendosur të ndërmarrë veprim ligjor kundër shpifësve, duke e konsideruar këtë një hap të drejtë dhe të nevojshëm.
“Si një zonjë e pavarur dhe profesionale që është, ajo më ka njoftuar se nesër do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
