Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quajti ai, manipulimeve të votës në disa qytete, duke theksuar se viktima kryesore e këtyre veprimeve janë politikanët e rinj dhe reforma.
Në një postim publik, Abdixhiku tha se vota u është tjetërsuar jo vetëm Paris Gurit, por edhe politikanëve të tjerë të rinj, jo për shkak të gabimeve të tyre, por sepse janë të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë shndërruar politikën në strehë interesi.
Sipas Abdixhikut, ajo që po ndodh në disa qytete nuk është rastësi, por rezistencë e atyre që, siç tha, e kanë gërryer sistemin nga brenda dhe sot po përpiqen ta ndalin reformën.
Ai paralajmëroi pasoja politike pas Kuvendit të LDK-së, duke theksuar se përveç turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi brenda partisë.
Postimi i plotë:
Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja.
Mbi të gjitha, goditet reforma!
Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë.
Prandaj, pasoja do të ketë.
Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë.
Ndërkohë, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim.
Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet.
Jam i vetëdijshëm se LDK, krahasuar me të tjerët, ka më së paku shpërputhje dhe parregullsi. Por pikërisht sepse jemi kështu, kemi përgjegjësi të dyfishtë.

