Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në Facebook pas refuzimit të 21 amendamenteve të LDK-së për Buxhetin e Kosovës, duke theksuar se me këtë u refuzua zhvillimi, e ardhmja dhe interesi publik.
Sipas Abdixhikut, shumica parlamentare ka bllokuar projekte jetike për qytetarët dhe shtetin, përfshirë: Unazën e Kryeqytetit, mësimin tërëditor në shkolla, digjitalizimin e shëndetësisë dhe të gjitha shkollave, Spitalin e Prishtinës, Memorialin e Kosharës dhe Muzeun e Lubeniqit
Ai thekson se ky ishte një refuzim politik, jo teknik, duke penguar zhvillimin e vendit dhe trajtimin e historisë me ndjeshmëri.
LDK-ja, sipas Abdixhikut, do të vazhdojë të avokojë për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve, ekonominë dhe vizionin zhvillimor të Kosovës.
Postimi i plotë:
21 amendamente të LDK-së për Buxhetin e Kosovës u refuzuan. Me to u refuzua zhvillimi. U refuzua e ardhmja. U refuzua interesi publik. Fundja nuk ishin të LDK-së, ishin të vet Kosovës.
Ndër amendamentet më të rëndësishme që shumica vendosi t’i bllokojë ishin projekte jetike për qytetarët dhe shtetin. Refuzuan:
– Unazën e Kryeqyteit
– Mësimin tërëditor në Kosovë
– Digjitalizimin e shëndetësisë
– Spitalin e Prishtinës
– Digjitalizimin e të gjitha shkollave
– Memorialin e Kosharës e Muzeun e Lubeniqit.
Ky nuk ishte refuzim teknik. Ishte refuzim politik i vizionit, i zhvillimit dhe i përgjegjësisë shtetërore. Dhe për këtë ndjejmë vetëm keqardhje.
Keqardhje që fëmijëve u mohohet mësimi tërëditor si çdo fëmije tjetër në Evropë. Keqardhje që pacientëve u mohohet shërbimi dinjitoz e modern me shekullin e sotëm. Keqardhje që Kryeqytetit i mohohet zhvillimi; i mbahet kaosi e ngufatja. Keqardhje që historia trajtohet pa ndjeshmëri; Kosharen e Lubeniqin e përdorin vetëm për vizita fotografike.
LDK do të vazhdojë të avokojë dhe të shtyjë përpara projekte të jetës reale, të ekonomisë reale dhe të vizionit zhvillimor të vendit tonë.
