Lajme

Abdixhiku mbështet dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit – ky është reagimi i tij

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur vendimin e Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një veprim me përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese në mbrojtje të rendit institucional.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku tha se Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi – sipas tij – dështimi politik dhe përpjekjet për imponim nuk mund të prodhojnë debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta kthenin vendin në një sistem pa norma dhe rregulla, përcjell “Bota sot”.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.

Shkrimi i plotë

Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit.

LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.

Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.

Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit.

Të Ngjashme