Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar shumicën aktuale për vonesa dhe qasje populliste, duke njoftuar se LDK nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare të thirrur për nesër.
Ai tha se partia e tij do të votojë kundër dhe do të nisë përgatitjet për zgjedhje të reja nacionale, duke bërë thirrje për bashkim politik kundër, siç e quajti, “logjikës së imponimit”.
Postimi i plotë:
Popullistë të rrezikshëm.
Të investuar në lojëra, intriga e kalkulime politike.
Zvarritën tetë muaj krijim e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vet me vonesë.
Pa asnjë konsultim.
Pa asnjë komunikim.
Pa asnjë diskutim.
LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. LDK e lufton me gjithë qenien e vet këtë logjikë imponimi. Me krenari, e themi se refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot.
Prandaj LDK nuk bëhet pjesë e shfaqejeve parlamentare të një pushteti në ikje. Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00-të. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes. Luftën me mullinjtë e erës e bëni mirë.
Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet.
Nesër nisim pregatitjet për zgjedhjet e reja nacionale dhe ftesën e madhe për përbashkim të secilit që është ngopur me një politikë si kjo, që mendon të shpëtojë shtetin e Republikën nga ata që e shohin atë vetëm si instrument e si lojë karrigesh.
Le t’i fitojmë!

