Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdixhiku pas intervistimit të Pecit: Po lind një epokë e re – ku të gjithë do të japin llogari

 
   

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me intervistimin e ministrit Faton Peci nga Prokuroria Speciale, duke shprehur shpresën se Kosova po hyn në një epokë të re të drejtësisë.

“Një ditë do të vijnë prokurorë me guxim e integritet që do të trajtojnë çdo akt korruptiv – sidomos atë të pushtetarëve,” tha Abdixhiku, duke theksuar se pas vite pritjeje, një ndryshim i tillë mund të ketë nisur.

Sipas tij, në këtë epokë të re, “paratë e vjedhura do të kthehen cent për cent – nga të gjithë ata që janë mbi ligjin.”

Postimi i plotë:

Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni.

Edhe atë të pushtetarëve.

Sidomos atë të pushtetarëve.

Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë.

Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!