Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abdixhiku premton 200 euro në muaj për të posalindurit

 
   

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njherësh kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka premtuar se në rast se arrin të mandatohet si kryeministër pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit do të jetësojë projektin e tij ‘Kontrata e Jetës me Shtetin”.

“Çdo shoqëri serioze fillon me një pyetje të thjeshtë: çfarë i detyrohet shteti qytetarit të vet? Jo në fund të jetës, jo vetëm në krizë, por që nga dita e parë. Ne besojmë se shteti duhet të jetë i pranishëm në çdo hap të jetës së qytetarit; jo si bamirës, por si partner. Prandaj ky është vizioni ynë! Kontrata e Jetës me Shtetin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka premtuar se për çdo fëmijë të posalindur do të jepen nga 200 euro në muaj për një vit të tërë.

“Ne besojmë në një shtet që nuk shfaqet vetëm në zgjedhje, por ecën me qytetarin në çdo hap të jetës. Që nga lindja, me 200 euro në muaj për çdo të porsalindur për një vit. Me çerdhe publike dhe edukim të hershëm cilësor. Me mësim tërëditor, shujta të ngrohta dhe kushte të barabarta në shkolla. Me teknologji, kodim dhe përgatitje reale për të ardhmen. Me trajnim për 40 mijë të rinj dhe punësim të garantuar pas diplomimit. LDK ka plan. Ka ekip. Ka vullnet. 123 është zgjedhja”, ka shtuar Abdixhiku.

Përveç 2400 eurove në vit për fëmijët e posalindur, Abdixhiku ka premtuar edhe 80 çerdhe të reja për fëmijët 1 deri 5 vjeç dhe 80 çerdhe të reja, mësim tërëditor e shujta të ngrohta për fëmijët 6-11 vjeç, si dhe 50 euro shtesa në muaj.

Për fëmijët 11-16 vjeç kreu i LDK-së ka premtuar programim, kodim dhe AI në shkolla dhe po ashtu 50 euro në muaj shtesa. Për të rinjtë 16-21 vjeç 40 mijë trajnime në ICT dhe për të rinjtë 21 vjeç e tutje punësim të garantuar, si dhe 500 euro në muaj për 6 deri 12 muaj për çdo të sapodiplomuar.