Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të zhvillohet përmes një gare të rregullt kushtetuese, ku secila parti parlamentare ka të drejtë të propozojë kandidatin e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka theksuar se nëse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vendos ta ketë kandidatin e vet, atëherë edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të veprojë njësoj, ndërsa sipas tij edhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të paraqesë kandidaturën e saj.
Ai ka nënvizuar se një qasje e tillë është plotësisht në përputhje me rendin kushtetues, i cili përcakton zhvillimin e një procesi votimi në tri raunde, ku në fund zgjidhet kandidati që siguron votat e nevojshme sipas procedurave ligjore.
Postim i plotë:
Nëse PDK-ja e ka kandidatin e saj, atëherë edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta propozojë kandidatin e vet. Sigurisht, edhe LDK-ja mund të ketë kandidatin e saj.
Këtë e parasheh edhe Kushtetuta, e cila përcakton një garë në tri raunde të votimit, ku zgjidhet kandidati që i merr votat e nevojshme sipas procedurës kushtetuese.
Kjo qasje ofron një platformë për garë të drejtë dhe demokratike, por njëkohësisht nuk e rrezikon procesin institucional dhe shmang nevojën për të shkuar në zgjedhje të reja.
