
Ish-deputeti Adem Salihaj ka reaguar ndaj pretendimeve se Lista Serbe ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar se kjo nuk është e vërtetë, pasi Lista Serbe me 9 deputetë nuk ka fuqi ta bllokojë Kuvendin.
“Shtetin e ka bllokuar Gjykata Kushtetuese, jo Lista Serbe. Problemin Kosova e ka me Gjykatën Kushtetuese,” ka shkruar Salihaj.
Ai shtoi se 100 deputetët shqiptarë dhe të tjerët mund të zgjedhin në çdo kohë një nga 10 deputetët serbë si nënkryetar të Kuvendit. “Jemi fenomen për t’u studiuar si popull që e mban veten të bllokuar,” përfundoi Salihaj.
Postimi i plotë:
Po përhapet një e pavërtetë se Lista Serbe e ka bllokuar konstituimin e Kuvendit, se asaj i është është dhënë e drejta e vetos.
Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse Lista Serbe me 9 deputetë nuk mund ta bllokojë në asnjë situatë Kuvendin e Kosovës, nuk e ka këtë fuqi.
Konstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka bllokuar Gjykata Kushtetuese, prandaj problemin Kosova e ka me Gjykatën Kushtetuese, jo me Listën Serbe.
Në anën tjetër, 100 deputetët shqiptarë dhe të tjerët mund ta zgjedhin në çdo kohë e kur të duan, cilindo nga 10 deputetët serbë nënkryetar të kuvendit. Jemi fenomen për t’u studjuar si popull i rrallë në botë që e mban veten të bllokuar.