Të mërkurën Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kushtetueses, dekreti i Osmanit nuk ka efekt juridik dhe Kuvendit i kanë mbetur edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.
“Gjykata rithekson se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje e cila edhe i është drejtuar me kërkesë Kushtetueses për dekretin e Osmanit, ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses, madje ka kërkuar që partitë t’i lënë inatet dhe të zgjedhin presidentin e ri.
“Tashmë i kemi edhe 34 ditë për ta përfunduar procedurën për zgjedhjen e presidentit. Është një kohë kur duhet të gjitha inatet të largohen e ta zgjedhim presidentin. Besoj që vendit nuk i duhen edhe një palë zgjedhje të reja, e panevojshme dhe e padrejtë që të humbet kohë, aq më shumë që pritet që rezultati të jetë i njëjtë. Duhet një mobilizim e angazhim i të gjithë neve që të gjejmë mënyrën për të arritur një konsensus e ta votojmë presidentin e vendit”, ka thënë Arbërie Nagavci, shefja e GP-së të Lëvizjes Vetëvendosje.
A do ta “bind” opozitën LVV për 34 ditë?
Analisti Skënder Zogaj konsideron se Kushtetuesja ka marrë vendim të drejtë dhe me qëllim të mirë.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mundësi reflektimi për të gjitha palët.
“Gjykata Kushtetuese, mendoj, ka marrë një vendim të drejtë dhe me qëllim të mirë, sepse situata e krijuar është thellësisht degraduese për shtetësinë e Kosovës, e cila po përjeton një krizë të rëndë, të shkaktuar nga partitë politike në luftën për pushtet. Vendimi i Gjykatës u jep mundësi reflektimi të gjitha palëve, gjë që do të ishte shumë e dëshirueshme, pasi qytetarët janë lodhur dhe irrituar nga falsiteti i skajshëm i partive politike, të cilat duket se e kanë humbur sensin e dinjitetit dhe nuk zgjedhin forma as mjete për të ardhur në pushtet”, deklaron Zogaj.

Analisti Skënder Zogaj
Ai nuk mund të konstatojë ecurinë a mund t’i sigurojë Lëvizja Vetëvendosje votat për presidentin dhe sipas tij ajo mbetet “patatja e nxehtë” e cila kërkon një zgjidhje me maturi dhe gjakftohësi.
“Armiqësia e opozitës ndaj pozitës është bërë ekstreme; sikurse edhe pozita që po tregohet tepër kategorike, duke mos iu përgjigjur nevojës për bashkëpunim me opozitën dhe për kompromise demokratike, të cilat janë të domosdoshme për një qeverisje të shëndetshme. Në dritën e zhvillimeve të deritanishme, aq sa mund të gjykoj, opozita duket e interesuar për zgjedhje. Prandaj, për Lëvizjen Vetëvendosje mbetet “patatja e nxehtë”, e cila kërkon një zgjidhje me maturi dhe gjakftohtësi”, përfundon analisti.
Vendimi i Kushtetueses u prit nga presidentja Vjosa Osmani.
Presidencës, dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese asesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën.
Tutje, Presidenca ka thënë se ”ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri”.
”Në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon në paragrafët 153, 155 dhe 190 se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Në reagim tutje thuhet se ”Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve. Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje”.
”Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” (paragrafi 191 i Aktgjykimit)
Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues”, thuhet ndër tjera në reagimin e Presidencës.
Urgjenca për stabilitet institucional, unitet dhe figura bashkuese
Ndërsa, analisti Xhavit Drenori kërkon që Murat Jashari të rishqyrtojë qëndrimin e tij për kandidim për president konsesual.
Sipas tij, Kosova ndodhet përballë sfidave serioze dhe të shumëfishta dhe ka nevojë urgjente për stabilitet institucional, unitet politik dhe për figura që mund të shërbejnë si ura bashkimi.
“Republika jonë ndodhet përballë sfidave serioze dhe të shumëfishta. Nga njëra anë, përballemi me tensione të vazhdueshme me fqinjin verior, të cilat rëndohen edhe më tej nga paqartësitë dhe ndryshimet në rendin e ri botëror. Nga ana tjetër, qytetarët tanë po përjetojnë një krizë ekonomike në rritje, ku inflacioni po rëndon çdo ditë jetën e tyre dhe duket se po i tejkalon kapacitetet e mekanizmave shtetërorë për ta kontrolluar. Luftërat dhe krizat globale vetëm sa e përkeqësojnë këtë realitet tashmë të brishtë. Në këtë kontekst të vështirë, vendi ynë ka nevojë urgjente për stabilitet institucional, unitet politik dhe për figura që mund të shërbejnë si ura bashkimi. Prandaj, i bëj thirrje z. Jasharit që ta rishqyrtojë qëndrimin e tij dhe të pranojë kandidimin për president konsensual”, thotë Drenori.

Analisti Xhavit Drenori
Ai thotë se familja Jashari ka sakrifikuar në kohë më të vështira, prandaj edhe këto janë vendimet e guximshme.
“Ky nuk është një moment i zakonshëm politik — është një moment që kërkon sakrificë, maturi dhe vendosmëri nga të gjithë, në shërbim të së mirës së përbashkët. Historia na ka mësuar se në kohë të vështira janë pikërisht vendimet e guximshme dhe sakrificat njerëzore ato që e ndryshojnë rrjedhën e fatit të një kombi — gjë që e ka dëshmuar më së miri edhe familja juaj e nderuar. Shteti ynë përballet me rreziqe serioze dhe pikërisht për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për njerëz që janë të gatshëm të japin më shumë se vetja”, përfundon Drenori për “Bota sot”.
