Lajme

Agim Bahtiri, Hekuran Murati e Mefail Bajqinovci reagojnë pasi Gjykata tha se dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik

Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin e saj lidhur me çështjen e presidentit, duke vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani ‘’nuk prodhon asnjë efekt juridik’’. Në vendim e saj, Kushtetuesja thotë se deputetët kanë edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Menjëherë pas vendimit kanë reaguar zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Agim Bahtiri nga kjo parti ka shkruar: “Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dekretit antikushtetuës të Presidentes Osmani, i cili siç e tha edhe gjykata nuk përbën asnjë efekt juridik”.

Ai është shprehur se “do të bëjmë të pamunduren që brenda afatit kohor 34 ditor, që na ka dhënë Kushtetuesja, të zgjedhim Presidentin, dhe rrjedhimisht shteti të funksionoj normalisht, e t’i ikim çdo ngërqi të mundshëm, sepse është koha që të lëvizim përpara e jo ta bllokojmë shtetin.”

Tutje, Bahtiri ka thënë; “e lus opozitën që të bashkëpunojë ngusht për të zgjedhur këtë çështje, sepse është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim partie”.

Ndërsa, sipas ministrit të Financave Hekuran Murati, “vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje veç pse partive opozitare nuk po u pëlqen rezultati që ua ka dhënë populli. Dekreti ishte në shkelje të Kushtetutës”, është shprehur ai.

E deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci shkruan se “vendimi për shpërbërjen e Kuvendit nga Presidenti nuk ka bazë kushtetuese dhe si i tillë nuk mund të vlejë”.

Ai thotë se “Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues në një republikë parlamentare dhe nuk shpërndahet me vullnet të njëanshëm të Presidentit”.

“Çdo President duhet ta ketë të qartë: rendi kushtetues dhe ndarja e pushteteve nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për t’u respektuar. Nga nesër, vazhdojmë punën në Kuvend — aty ku buron legjitimiteti dhe vendimmarrja demokratike”, është shprehur ai tutje.

Të Ngjashme