Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për gjuhën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke e quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme.
AGK ka thënë se Abdixhiku në një intervistë televizive i ka quajtur gazetarët “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
“Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë. Një gjuhë e tillë me kualifikime si ‘mercenarë’ është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ky asociacion i ka bërë thirrje Abdixhikut të heqë dorë nga këto spekulime dhe me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në Kuvend, të kontribuojë për një ambient të lirë medial.
