Lajme

Ahmeti në Iowa: Partneriteti Kosovë–SHBA model i bashkëpunimit afatgjatë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Konsullata në Iowa me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku u theksua rëndësia e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe këtij shteti amerikan.

Në fjalën e tij, Ahmeti vlerësoi rolin që Iowa ka pasur në historinë moderne të Kosovës, duke kujtuar fillimin e bashkëpunimit me ardhjen e trupave të Iowa National Guard në Kosovë në vitin 2003 dhe më pas formalizimin e këtij raporti përmes Programit të Partneritetit Shtetëror. Sipas tij, ky bashkëpunim ka qenë thelbësor në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe në transformimin e sektorit të sigurisë në vend.

Ai nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowas, duke theksuar se ky partneritet ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e standardeve operacionale dhe në shndërrimin e Kosovës në një kontribuese aktive për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Zëvendësministri shtoi se partneriteti tashmë shtrihet përtej fushës së sigurisë, duke përfshirë lidhje të qëndrueshme institucionale, marrëveshje binjakëzimi ndërmjet qyteteve, si dhe mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Në përmbyllje, Ahmeti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke e cilësuar miqësinë ndërmjet dy vendeve si një partneritet strategjik dhe të qëndrueshëm në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit.

Të Ngjashme