Lifestyle

Akili eliminohet nga “Ferma VIP”, rritet tensioni mes konkurrentëve. Agai dënon Ilir Shaqirin

Spektakli i katërt i “Ferma VIP” ka sjellë zhvillime të papritura në lojë, vetëm pak ditë pas nisjes së saj. Dinamikat mes fermerëve kanë ndryshuar ndjeshëm, duke prodhuar emocione të forta, debate të ashpra dhe vendime surprizë.

Një televotim i hapur që prej ditës së premte për të zgjedhur fermerin e preferuar të publikut mbajti në ankth katër konkurrentë. Në përfundim, ishte Indri ai që fitoi mbështetjen më të madhe, duke u shpallur më i votuari dhe duke siguruar imunitet nga eliminimet e radhës.

Ndërkohë, tre konkurrentët e mbetur, Gresa, Akili dhe Dj Fairfax, kaluan në një fazë tjetër të lojës. Ata u përballën në një sfidë, të cilën Akili arriti ta fitonte i pari, por në mënyrë të papritur vendosi t’ia dhuronte fitoren Gresës. Ky vendim çoi në një televotim të menjëhershëm “kokë më kokë” mes Akilit dhe Fairfax, ku publiku vendosi që Akili të largohej përfundimisht nga gara.

Mbrëmja u shoqërua edhe me tensione të forta. Ilir Shaqiri, i cili tashmë është pjesë e garës si konkurrent, u bë qendra e debateve si mes fermerëve, ashtu edhe me opinionistët. Përdorimi i gjuhës ofenduese bëri që Agai të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tij. Iliri do të qëndrojë i izoluar në zonën e “Fakirit” dhe do të kryejë punët e stallës çdo ditë, pa pasur akses në ambientet e tjera të fermës.

Jashtë vëmendjes nuk mbetën as debatet dhe konfliktet e këtyre ditëve. Përplasja mes Akilit dhe Sarës, e shoqëruar me ofendime nga ana e aktorit, nxiti reagime të forta nga fermerët.

Një tjetër debat i ashpër shpërtheu mes Jonida Maliqit dhe Malbora Gurrës për çështje higjiene, duke vijuar me akuza të ndërsjella. Në diskutim u përfshi edhe Soni Malaj, e cila theksoi rëndësinë e komunikimit të duhur pas çdo situate konfliktuale, çka solli një tjetër përplasje mes këngëtareve.

Pavarësisht tensioneve, spektakli solli edhe momente emocionale. Një letër surprizë nga babai për Tenin, në ditëlindjen e tij, preku jo vetëm atë, por edhe publikun. Teni ndau historinë e tij personale, duke treguar se është rritur vetëm nga nëna, pasi babai kishte emigruar herët për të siguruar jetesën e familjes.

Ndërkohë, një televotim është hapur deri të premten për të zgjedhur fermerin e preferuar të publikut, ndërsa përfitimet e këtij roli do të trazojnë jo pak rrjedhën e lojës.

Të Ngjashme